Me duartrokitje dhe trëndafila të bardhë, përcillet për në banesën e fundit Artan Lame (VIDEO)

Mes duartrokitjesh dhe trëndafilash të bardhë që u hodhën në arkëmortin e tij nga familjarë dhe miq, Artan Lame u përcoll për në banesën e fundit.

Lame ndërroi jetë pak ditë më parë në Mynih të Gjermanisë, ku kishte shkuar për një ndërhyrje në zemër.

Kujtojmë që në vitin 2016, Artan Lame, i mbijetoi një ataku kardiak. Ish-kreu i ALUIZNI-t ndau me të gjithë momentin e tij më të keq të jetës, por edhe të familjes së tij duke e konsideruar të gjithë këtë përvojë sfiduese me shëndetin si “kthim në jetë”.

Ai drejtoi për disa vite Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI), si dhe mbajti poste të tjera shtetërore, duke qenë aktiv në radhët e Partisë Socialiste.

Lame ishte publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe një veprimtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.

I lindur në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës, Artan Lame, la gjurmë si pjesë e shoqërisë civile dhe si funksionar publik.

Ai la pas bashkëshorten dhe 2 fëmijët.

Pas rekuperimit e cila i mori një kohë të gjatë, Lame shkroi një postim në rrjetet sociale, duke rrëfyer atë përvojë delikate me shëndetin.

Ja çfarë shkroi Artan Lame (Postim i vitit 2017, 1 vit pas atakut kardiak)

Kthim! Miq, Sot mbush vitin që prej ditës kur vendosa të qëndroj ende këtu, në këtë pjesëz tokësore të Pafundësisë. Në këto 365 ditë, ende s’i kam dhënë dot përgjigje pyetjes në dukje shumë të thjeshtë: I kujt qe vullneti që të kthehesha sërisht?

Ndoshta Universi është organizuar në një të atillë mënyrë, që ca pyetjeve të mos mundemi kurrë t’u japim udhë. Dhe përmes këtij mundimi drejt njohjes, kalon edhe e gjithë përpjekja për të mirën.

Shumë nga gjërat që premtova t’i bëj që atëhere, ndoshta nuk i kam bërë, paçka se e kisha shpirtin të zhveshur në eter.

Por zemra e mishtë që përleshej mes bisturish të çelikta, më bën sot t’ju kujtoj të gjithëve se sa i hollë është tehu që ndan atë se ku do jemi, këtej apo andej.

Eshtë aq i hollë, sa nuk ja vlen ta mprehim edhe më tej atë me pakujdesitë tona të zhurmës së përditshme.

I thashë, më tha, s’i flas, do t’i bëj këtë, i keqi, do ta zhduk, ja ngeca, do ta marr, se jap, t’ia marrim, ta prishim, s’dua, se bëj, s’ma bën, e plot e plot të tjera ankthe, me të cepat e theptë të të cilëve gërricim ditët tona. Jua thotë këtë dikush që e pa atë teh, e jo veç e pa, por edhe e ndjeu në mish të vet.

Ky vit që shkoi, më ka bindur edhe më tej në dobinë e dhënies. Universi është shumë i pafund për të patur kohë ta marrim të gjithin brenda vetes, edhe në qofshim aq të pangour.

Ndaj e vetmja mënyrë për të marrë diçka më shumë, është të japim. E kam thënë, s’ka rëndësi çfarë: panem, amor, vitam… Dhe se fundi, sa herë bëni dicka, bëjeni me shpirt dhe ndjejeni deri në shpirt, sepse ç’do herë mund të jetë e fundit”.

 


Shtuar 27.05.2025 12:27