Mbërrijnë nën masa të rrepta sigurie në gjykatën e Durrësit Xhevdet Plaku dhe 6 të arrestuarit e tjerë, do të njihen me masat e sigurisë

DURRËS– Xhevdet Plaku dhe 6 të tjerët janë dërguar në ambientet e Gjykatës së Durrësit nën masa të rrepta sigurie me praninë edhe të FNSH.

Ata do të dalin para gjykatës dy ditë pasi u arrestuan teksa po drekonin në një restorant në Gjirin e Lalzit.

Të arrestuarit janë Xhevdet Plaku, Voltan dhe Jugert Xhanin, Fatjon Qesjan, Oltion Hasanin, Alfred Hasanaj dhe Flobenc Meçja (Gega). 44-vjeçari Xhevdet Plaku është i njohur si kapo i drogës me 25 identitete.

Ai u zhduk pasi doli nga burgu Barcaglione në Ankona për të hedhur mbeturinat. 44-vjeçari ishte i ndaluar prej një viti e gjysmë dhe vuante dënimin për trafik droge.

Ai kishte për detyrë të pastronte kazermat e agjentëve dhe zyrat e menaxhimit dhe duke përfituar nga regjimi i paraburgimit të nenit 21, gëzonte lirinë e lëvizjes jashtë burgut pa shoqërim, deri kur doli një paradite të janarit të këtij viti për të hedhur mbeturinat dhe nuk u kthye më.

Kur u krye kontrolli tre orë më vonë, Plaku nuk iu përgjigj thirrjes dhe nisën kërkimet për kapjen e tij.

Ai dyshohet se është kreu i një bande shqiptarësh që trafikonin kokainë drejt Holandës dhe Belgjikës.

Në Borghetto Santo Spirito (Savona), në qershor 2000, ai u arrestua për vrasjen e një bashkatdhetari, por u lirua në vitin 2014 dhe u zhduk.

Më pas u rishfaq në Holandë, nga ku u ekstradua në Itali.

44-vjeçari është në kërkim edhe në Shqipëri, ku u dënua me 22 vjet burg për vrasjen e një shqiptari tjetër në qershor 2003 në Durrës.

Flobens Meçja, alias Gega alias Drini nga Shkodra ishte shpallur në kërkim nga SPAK-u prej një viti, si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”.

43 -vjecari akuzohet për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.

Voltan Xhani është i dyshuari kryesor për organizimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit në lagjen “Ahmet Haxhiu” në Shkodër mesditën e 30 gushtit 2024.

Policia thotë se 39 vjecari, resident në Holandë, ka siguruar armët dhe makinat që u përdorën në vrasje, ndërsa i vëllai, Jugerti e ka përkrahur në krim. Dy vëllezërit, sipas të dhënave në QKR, janë pronarë të disa bizneseve.


Shtuar 25.05.2025 12:53