Tërmeti 6.1 ballë trondit Kretën, banorët dalin në rrugë të alarmuar

Një mëngjes që nisi me panik për banorët e Kretës: një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 ballë goditi zonën pranë Neapolis, në prefekturën e Lasithit, duke u ndjerë fort në gjithë ishullin dhe përtej, deri në Athinë.

“U dëgjua një gjëmim i madh, më pas shtëpia u drodh e gjitha” – thonë banorët e alarmuar që kanë dalë jashtë banesave për siguri. Lëkundjet nuk kanë kursyer as supermarketet, ku raftet janë zbrazur nga të goditurat, ndërsa makinat dhe kabllot elektrike dridheshin në rrugë – pamje që tashmë kanë pushtuar rrjetet sociale.

Pasgoditjet nuk kanë munguar: deri tani janë regjistruar nëntë lëkundje të tjera, të cilat po mbahen nën vëzhgim nga autoritetet sizmologjike.

Në disa rrugë janë raportuar rrëshqitje dheu, ndërsa në Heraklion, një pjesë ndërtese është shembur pjesërisht – fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Strukturat arsimore po kontrollohen nga inspektorët, ndërsa Bashkia e Heraklionit është vënë në gatishmëri të plotë.

Kryebashkiaku Alexis Kalokairinos ka zhvilluar kontakte të menjëhershme me autoritetet sizmologjike dhe po ndjek nga afër zhvillimet.


Shtuar 22.05.2025 12:09

Tags: ,