Dosja “5D”/ GJKKO rrëzon kërkesën për ndarjen e çështjes për 4 të pandehurit, do gjykohen së bashku

Dosja “5D”, do të jetë me gjykim të zakonshëm për të gjithë të akuzuarit. Kërkesën e katër të akuzuarve për t’u ndarë më vete për shkak të veprave penale, trupa e gjykimit e rrëzoi, çka do të thotë që i gjithë grupi do të gjykohet së bashku.

Tre ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë Redi Molla, Taulant Tusha, Mariglen Qato dhe Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhametllari do të nisë gjykimi në themel.

Më herët, trupa gjykuese rrëzoi kërkesën e grupit për t’u gjykuar me procedurën e shkurtuar.

Ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, u arrestuan në muajin mars të vitit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.

Ata u lanë në masën “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë në masën “detyrim paraqitje”, konkretisht Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Deborah Kecci dhe Englatina Zere.

Këto dy të fundit bashkë me anëtarët e “KVO”janë veçuar nga ky grup.

Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë.

Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohorë të 6 viteve, nga 2016 deri në 2022.

Kompania njihet dhe me dy emra të ndryshëm “Igor Electric” dhe “Vas construcion”.


Shtuar 22.05.2025 12:06