Vatra kërkon drejtësi për “Kumanovën”

Ditën e sotme,  është dhjetëvjetori i ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Shumëçka në atë ngjarje, ishte dhe ka ngelur ende e pa sqaruar.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”, kërkon hetim të pavarur ndërkombëtar për të zbardhur të vërtetën.

VATRA po ashtu kërkon drejtësi për shqiptarët e grupit të Kumanovës që po mbahen në burgjet e Maqedonisë së Veriut.

Po ashtu, jemi shumë të shqetësuar për trajtimin dhe gjendjen e tyre në burg. Familjarët e të burgosurve na informojnë për keqtrajtime e sjellje jo njerëzore që ushtrohen ndaj këtyre të burgosurve.

VATRA tërheq vëmendjen që Republika e Maqedonisë së Veriut, si vend anëtar i NATO-së dhe kandidat për BE, është e detyruar që të zbatojë standartet më të larta të trajtimit njerëzor dhe të dinjitetshëm të të burgosurve konformë Konventave Ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi.

Këtë shqetësim të bazuar, VATRA do ta prezantojë deri në nivelet më të larta të shtetit amerikan.

Njëherësh i bëjmë thirrje qeverive në Prishtinë dhe në Tiranë, që të përdorin ndikimin e tyre në favor të trajtimit njerëzor të këtyre të burgosurve shqiptarë.


Shtuar 10.05.2025 12:48