Zgjedhjet e 11 Majit/ Nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në Kukës dhe në qarkun e Korçës

Ditën e sotme, në Bashkinë e Kukësit, ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen të dielën, më 11 maj.

Procesi ka nisur nën masa të rrepta sigurie dhe në prani të përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KZAZ Kukës dhe forcave të rendit.

Të parat që kanë marrë materialet zgjedhore kanë qenë qendrat e votimit me numër 0677, të vendosura në fshatrat Pakisht dhe Kosharisht, në njësinë administrative Zapod.

Të dy këto fshatra, përfshihen në të njëjtën qendër votimi, e cila numëron gjithsej 318 votues të regjistruar.

Shpërndarja e materialeve po vijon drejt qendrave të tjera të votimit në territorin e bashkisë, duke u nisur fillimisht nga zonat më të largëta dhe fshatrat e thellë malorë.

Qëllimi është që të gjitha qendrat të pajisen në kohë me materialet përkatëse si fletët e votimit, kutitë, regjistrat, pajisjet për identifikimin biometrik, kamerat e sigurisë, etj.

KZAZ Kukës, ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për një proces zgjedhor të qetë, të rregullt dhe transparent.

Shpërndarja e materialeve në 73 qendrat e votimit, është planifikuar të përfundojë 15 orë përpara hapjes zyrtare të votimit.

Edhe në qytetin e Pogradecit, ka nisur procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në KZAZ nr. 70, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.

Sipas kryetarit të KZAZ-së, Mandi Mekolli, ky proces ka filluar prej orës 09:00 të mëngjesit dhe pritet të përfundojë brenda pak orësh.

Komisionerët e qendrave të votimit, janë paraqitur në selinë e KZAZ-së për të tërhequr materialet zgjedhore që do të shpërndahen në shtatë njësitë administrative të bashkisë Pogradec.

Një risi e këtyre zgjedhjeve, është përfshirja për herë të parë në procesin e votimit e grave që vuajnë dënimin në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit në Pojskë.

Gjykata ka dhënë një vendim përkatës, ndërsa pritet që ky vendim të komunikohet zyrtarisht pranë KZAZ-së për të mundësuar zbatimin e tij.

Shpërndarja e materialeve zgjedhore ka filluar edhe në bashkinë e Maliqit, Devollit dhe Kolonjës.

Sa i përket Bashkisë Korçë, po bëhet shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ e Fshatrave ndërsa në KZAZ e qytetit ende nuk ka nisur.


Shtuar 10.05.2025 12:40