Prokuroria e Posaçme, ka nisur veprimet hetimore duke përfshirë marrjen në pyetje të disa zyrtarëve policor, lidhur me takimet e paautorizuara me të paraburgosurin për korrupsion Roven Zeka.
SPAK ka marrë deklarimet e të paktën 2 shefave të komisariateve në kryeqytet, ndërsa është sekuestruar edhe një pajisje telefonike. Ndërkohë, edhe një biznesmen ka qenë subjekt i hetimit të prokurores Elida Kaçkini.
Organi hetues ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë, si dhe ka pyetur personat përgjegjës në Bllokun e Sigurisë në “Mine Peza”, për të hedhur më tepër dritë mbi takimet me të paraburgosurin dhe qëllimin e tyre.
Shef i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës Roven Zeka, bashkë me Sokol Novakun shef i hetimit të aksidenteve dhe oficerin e policisë rrugore Edison Tabaku, ranë në pranga disa ditë më parë në kuadër të një hetimit të SPAK, dhe dyshohet se kanë marrë para për manipulimin e provave për një aksident rrugor.