Shpenzimet ushtarake nëpër botë kapërcyen gjatë 2024-ës 2700 miliardë dollarët, një rritje kjo prej 9.4 për qind në terma realë krahasuar me vitin 2023 dhe është rritja më e madhe vjetore, të paktën që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Raporti më i fundit i SIPRI-it, Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm, tregon se shpenzimet ushtarake janë shtuar në të gjitha rajonet e botës, por më e mprehtë rritja është regjistruar veçanërisht në Evropë dhe Lindje të Mesme.
Pesë shpenzuesit kryesorë ushtarak, Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Gjermania dhe India, përbëjnë 60 për qind të shpenzimeve globale, dhe së bashku këto shtete kanë shpenzuar 1635 miliardë dollarë. Shpenzimet ushtarake i referohen të gjitha shpenzimeve qeveritare për forcat ushtarake dhe aktivitetet, përfshirë rrogat dhe përfitimet, shpenzimet operacionale, blerjet e armëve dhe pajisjeve, ndërtimet e infrastrukturës ushtarake, kërkimeve dhe zhvillimit, administratës, komandës dhe mbështetjes.
“Përllogaritjet tona tregojnë se mbi 100 shtete në mbarë botën i rritën ndjeshem shpenzimet e tyre ushtarake.
Përderisa qeveritë gjithnjë e më shumë po e bëjnë prioritet sigurinë ushtarake, shpesh në kurriz të sektorëve të tjerë buxhetorë, kompromiset ekonomike dhe sociale mund të kenë pasoja të rëndësishme për shoqëritë në vitet në vijim”, shprehet Xiao Liang, kërkues pranë SIPRI.
SIPRI tha se ky është viti i dhjetë me radhë që shënohet rritje globale e shpenzimeve ushtarake.
Barra ushtarake globale, Bruto Prodhimi i Brendshëm global që i dedikohet shpenzimeve ushtarake – u shtua 2.5 për qind në vitin 2024.
Në mesin e luftës trevjeçare të Ukrainës, veç Maltës, siç thuhet në raport të gjitha shtetet evropiane rezulton t`i kenë rritur shpenzimet e tyre ushtarake.