Në një intervistë për News24, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka komentuar intensitetin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar përkushtimin personal dhe të partisë së tij në çdo qark, me fokus të veçantë në Tiranë, si pjesë e koalicionit opozitar PD-ASHM.
“Kemi një fushatë intensive. Unë si kryetar duhet të jem prezent kudo dhe jam i përqendruar në Tiranë, ku kam bërë fushatë që prej vitit 2005,” tha Idrizi, i cili vetë garon në listën e hapur.
Ai u shpreh optimist për rezultatin që PDIU pritet të ketë në këto zgjedhje, duke theksuar kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe adresimin e problemeve reale të tyre. “Zgjedhjet janë momenti më serioz i marrëdhënies mes qytetarit dhe politikës. Në atë ditë, është qytetari që merr fuqinë dhe delegon të ardhmen”, tha Idrizi.
Në lidhje me programin ekonomik, kreu i PDIU theksoi nevojën për një kthim drejt prodhimit vendas, duke e konsideruar atë një rrugë të rëndësishme drejt rritjes së punësimit dhe qëndrueshmërisë së sistemit të pensioneve.
“Një vend si Shqipëria nuk mund të mbahet vetëm nga ndërtimi. Prodhimi i brendshëm krijon punësim dhe ndihmon në zgjidhjen e çështjes së pensioneve. Jam për një sistem taksimi uniform dhe neutral”, përmbylli ai.