Tronditet kryeqyteti ukrainas/ Dronë dhe raketa ruse godasin Kievin, 9 viktima dhe dhjetëra të plagosur

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një tjetër natë tronditëse për kryeqytetin ukrainas. Rusia ka ndërmarrë një sulm të furishëm ndaj Kievit, duke përdorur raketa balistike dhe dronë.

Sipas autoriteteve vendase, të paktën 9 persona kanë humbur jetën, ndërsa 63 të tjerë janë plagosur, përfshirë edhe 6 fëmijë.

Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit, njoftoi në kanalin zyrtar në Telegram se sulmi nisi rreth orës 01:00 dhe goditi katër lagje të ndryshme të qytetit.

Në lagjen Sviatoshynskyi, një ndërtesë banimi u përfshi nga flakët pas një goditjeje të drejtpërdrejtë, duke lënë disa banorë të bllokuar nën rrënoja.

Zjarre të tjera u raportuan edhe në lagjet Shevchenkivskyi dhe Holosiivskyi. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave konfirmoi se 42 persona janë shtruar në spital, ndërkohë që ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të dëmtuara.

Situata në Kiev mbetet e tensionuar, ndërsa qyteti po përballet me pasojat e një prej netëve më të rënda të sulmeve ajrore në javët e fundit.


Shtuar 24.04.2025 08:24