Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i është drejtuar përmes një letre të hapur votuesve për herë të parë, të cilët më 11 maj do të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votës. Ai bën thirrje për vetëdijësim politik dhe reagim ndaj qeverisjes aktuale, që sipas tij, ka minuar shanset e brezit të ri për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.
“Në një vend që plaket çdo ditë, 115 mijë të rinj do të votojnë për herë të parë. Edhe pse më të paktë në numër, ata mbeten përcaktues për drejtimin e Shqipërisë”, shkruan Salianji.
Sipas tij, rinia është parë nga qeveria si një “tabula rasa”, pa memorie, pa qëllim dhe pa projekt për të ardhmen. Ai akuzon kryeministrin Rama se ka synuar t’i fitojë votuesit e rinj me “batuta, veshje ekstravagante dhe shfaqje me këngëtarë”, duke i fyer dhe shpërfillur.
“Qeverisja e keqe, krimi dhe korrupsioni kanë lidhje direkte me ty. Ato minojnë çdo mundësi që ti të ndërtosh një jetë në këtë vend. Kjo nuk është thjesht një çështje politike – është personale”, thekson Salianji.
I ndaluar për të ushtruar aktivitetin e tij prej 6 muajsh, Salianji deklaron se edhe pse fizikisht nuk është në fushatë, betejën për të rinjtë e vazhdon me bindje. Ai nënvizon padrejtësinë sociale, mungesën e subvencioneve në bujqësi, përballjen me koston e jetesës, mungesën e punësimit dhe barrën fiskale si plagë që prekin drejtpërdrejt të rinjtë.
“Nuk është demokraci kur një deputet i opozitës burgoset për një konferencë shtypi. Nuk është sistemi që ti meriton. Ti ke të drejtën të kërkosh një Shqipëri ndryshe”, shkruan ai.
Në përfundim, Salianji u bën thirrje të rinjve që të mos lejojnë që kjo realitet të vazhdojë, por ta ndryshojnë me votën e tyre.
“Dita jote është 11 maji. Është një nga aktet më të forta që do të marrësh në jetë. Jo vetëm për veten, por për familjen, miqtë dhe vendin tënd. Shqipëria ka sytë nga ti!”, përfundon ai