Tensione në kampin e Gjadrit/ Emigrantët e parë nga Italia shkaktojnë trazira, plagosen tre prej tyre

Vetëm pak ditë pas mbërritjes në Shqipëri, emigrantët e parë të sjellë nga Italia dhe të akomoduar në kampin e Gjadrit kanë shkaktuar tensione dhe akte dhune brenda qendrës.

Edhe pse situata nga jashtë duket e qetë, mediat italiane raportojnë për një situatë të tensionuar në brendësi të kampit. Sipas mediave italiane, rreth 20 emigrantë kanë dëmtuar dhomat dhe pajisjet e kampit gjatë dy ditëve të fundit. Po ashtu, tre persona kanë pësuar lëndime të lehta me thikë gjatë përplasjeve të brendshme.

Autoritetet italiane, të cilat kanë në dorë administrimin e brendshëm të kampit, kanë vendosur në izolim personat problematikë, të cilët tashmë po mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka konfirmuar për mediat se kontigjenti është i rrezikshëm, pasi përfshin individë të akuzuar apo të dënuar për vepra të rënda penale, si tentativa vrasjeje, dhunë seksuale, pornografi me fëmijë, vjedhje, grabitje dhe trafik droge.

40 emigrantët që mbërritën në Shëngjin më 11 prill me anijen “Libra”, janë persona që u është refuzuar azili në Itali dhe pritet të riatdhesohen në vendet e origjinës. Ata do të qëndrojnë në Shqipëri deri në 18 muaj, sipas marrëveshjes mes dy qeverive.

Kampi i Gjadrit, fillimisht i konceptuar për strehimin e përkohshëm të azilkërkuesve, tashmë do të funksionojë si qendër ndalimi për emigrantët e refuzuar, në bazë të dekretit të ri të qeverisë italiane Meloni.


Shtuar 15.04.2025 20:45