Zgjedhjet e 11 majit/ Brenda 100 ditëve të para, ulje të ndjeshme taksash dhe çmimesh, do të falim të gjitha gjobat për bizneset e vogla

Ditën e sotme, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, kreu i PD Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me bizneset ku ka deklaruar se në 100 ditët e para do jetë amnistia fiskale, për të gjithë bizneset e vogla, si do ulen taksat dhe çmimin e energjisë dhe ujit.

Sali Berisha: Të garantoj që biznesi i vogël do të ketë lehtësira shumë të mëdha sepse e Meriton. Do ulim me trefish ccmimin e energjisë për biznesin e vogël, do përgjysmojmë çmimin e ujit.

Ne jemi të vendosur të mbështesim fuqishëm biznesin e vogël sepse është biznesi që punëson më shumë dhe është biznesi që pasqyrohet më shpejt dhe më mirë në mirëqenien e njerëzve.

Çfarë do bëjmë ne? Për biznesin e vogël do ulim çmimin e energjisë nga 18 në 6 lekë. E kemi pasur 6, në 6 do zbresim pak. Tavanin 140 mijë euro pa taksa do e ngremë në 180 mijë euro. Edhe kjo është një lehtësim, një frymëmarrje.

Taksat e bashkisë, të cilat shkojnë në absurditet, sepse siç e dini, kanë qenë shumë më të ulëta. Unë për shembull isha në një treg tjetër dhe u merrte për pllakat jashtë 1500 lekë për metër katrorë, do zbresë në 120 lekë. Kur është tokë publike, do e bëjmë edhe këtë.

Ujin do e përgjysmojmë tarifën dhe bashkia nuk do mund, me ligj, të vendosë më shumë se 1 përqind të xhiros taksa. Sot shkon deri në 8 përqind të xhiros dhe sillen në mënyrë absurde.

Plus që do ketë lehtësira në dogana, çka do e bëjë furnizimin tuaj më të lirë. Ne nuk ecim me parimin e tarifave të larta në dogana, jo, ne jemi për tarifa të ulëta…

Absolutisht, 100 ditët e para do jetë amnistia fiskale për të gjithë bizneset e vogla. Por do jetë edhe amnistia për të gjitha gjobat, jo vetëm për biznesin e vogël, për edhe qytetarët, për pensionistët. Për këtë u garantoj.

Se ky donte me bë amnisti për trafikantët. Jo, nuk e bëjmë ne atë. Ato para nuk i duam, se ato paratë e tyre po e rrëzojnë ekonominë përtokë, po e kthejnë vetëm në ndërtim, të cilën nuk e blejnë dot se shkon çmimi sa në Mynih, sa në Paris.

Degët e tjera të ekonomisë bien. Kështu që ne i japim fund kësaj situate dhe me vendosmëri të madhe. Gjobat i keni të sigurta që do amnistohen… Çdo shqiptar duhet ta kuptojë pse ne jemi kaq të vendosur për minimumin jetik? Sepse është jetik.

Nuk e kemi quajtur ne jetik. Jetik quhet në të gjitha shkencat. Pra, ai minimum është i domosdoshëm që një njeri të mund të mbajë veten, nuk e pasuron, nuk e lumturon, por ama e përjashton nga disa dhimbje të paarsyeshme dhe ne do e bëjmë atë.
Ai është jetik dhe për ne është jetike që ta bëjmë ata.