Pas incidentit të bujshëm që ndodhi në natën gjysmëfinale të Big Brother VIP Albania 4, ku Jozefin Marku (Jozi) goditi fizikisht artistin Besart Klemendi (Gjesti), ky i fundit është shfaqur për herë të parë me pasoja të dukshme fizike.
Sipas pamjeve të publikuara në faqen zyrtare të reality-show-t, Gjesti shihet me sy të ënjtur dhe shenja në fytyrë, si pasojë e sulmit që ndodhi para kamerave dhe publikut mbarëkombëtar.
Edhe pse gjendja e tij shëndetësore raportohet si e mirë, gjurmët e dhunës janë të dukshme, duke ngritur shqetësime të shumta për sigurinë e banorëve brenda shtëpisë.
Pas këtij episodi të paprecedentë, rrjetet sociale janë përmbytur me mesazhe përkrahjeje për Gjestin.
Qytetarë, figura publike dhe fansa të reality-show-t kanë reaguar fuqishëm, duke dënuar aktin e dhunës dhe duke i qëndruar afër artistit të njohur përmes komenteve, postimeve dhe thirrjeve për drejtësi.
Ky incident ka ndezur një debat të gjerë publik mbi përgjegjësinë e produksionit për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien emocionale të pjesëmarrësve, veçanërisht në momentet kur tensionet brenda lojës kalojnë kufijtë e tolerancës dhe shpërthejnë në agresion fizik.