VIDEO/ Partia Demokratike hap sot fushatën, Chris LaCivita shpërndan pamjet: Kush është bufi dhe kush është miu?!

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, drejtuesi amerikan i fushatës së Partisë Demokratike, Chris LaCivita, ka shpërndarë një video në platformën X, ku shfaqet një buf që ha një mi.

“Kush është bufi dhe kush është miu”, -shkruan LaCivita në postimin e publikuar.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama, prej kohësh e quan kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, buf kënete.

Ai madje edhe në zyrën e tij, ka vendosur një dekor bufi, i cili duket në çdo video të kryeministrit në rubrikën “Sy m’sy”.

Vetë lideri historik i PD, Sali Berisha, është shprehur më herët se bufi në fakt është simbol i mençurisë, ndaj nuk ndihet i ofenduar nga krahasimi që kryeministri i bën atij me këtë shpend.

Partia Demokratike, nis sot në orën 19:00 në sheshin ‘Nënë Tereza’, fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit.

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, do të jetë një nga folësit politikë, ndërsa tjetri që pritet të ketë një komunikim do të jetë edhe strategu i fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita.


Shtuar 11.04.2025 10:36