Këtë të enjte, përmes një postimi në “Facebook”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar duke shprehur falenderimet e tij ndaj të gjithë atyre që e kanë mbështetur, gjatë periudhës së qëndrimit të tij në burg.
Ai theksoi se është mbajturi izoluar pa akuzë konkrete, duke nënvizuar se nuk ka asnjë person që mund të dëshmojë se ai ka kryer ndonjë akt korruptiv.
Në postimin e tij, Veliaj i bëri thirrje atyre që janë solidarizuar me familjen e tij. Ai shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar dhe siguroi se nuk do ta harrojë kurrë këtë mbështetje.
Ndërkohë, Veliaj theksoi se i janë ndaluar mundësitë për të shprehur mendimin mbi procesin që po kalon, duke e quajtur atë “grotesk”.
Gjithashtu, Veliaj shprehu bindjen se çdo veprim i tij, ka qenë gjithmonë i ndershëm dhe ka ndihmuar të tjerët në punën e tij, duke theksuar se ende nuk ka pasur asnjë dëshmi që ta akuzojë.
Veliaj u dërgoi falenderime të gjithë atyre që kanë qëndruar pranë tij dhe familjes së tij gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Postimi i Erion Veliajt:
Të dashur miq,
Sot mbushen 2 muaj nga burgimi im pa gjyq – larg familjes, gruas, djalit të vogël dhe nënës. Por, edhe larg punës në bashki e fushatës, dy pasioneve të jetës sime.
Doja vetëm t’ju falenderoja për mirësinë e mbështetjen ndaj Kait dhe Ajolës, si dhe dy nënave tona – 3 gra pa burrat e tyre, por me kurajo e dinjitet falë jush që u jeni gjendur pranë! Jam ende pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston. S’ka dalë askush që të kem korruptuar. Ende askush që të më ketë korruptuar.
Kush më njeh e di që në çdo ditë të punës time kam ndihmuar këdo, kudo e kurdo me ndershmëri. Ndaj, meqë më janë ndaluar opinionet mbi këtë proces grotesk, atyre që i janë gjendur familjes sime, iu them nga zemra “Faleminderit”! Nuk do t’ua harroj kurrë! Bekime dhe mall për ju të gjithë.