Belind Këlliçi: Veliaj tani është banor i Durrësit, sipas ligjit dhe Kushtetutës s’mund të jetë më kryetar i Bashkisë Tiranë

Drejtuesi politik i PD në Tiranë, Belind Këlliçi, teksa ishte i ftuar në emisionin ‘’Ora e Betit’’ në Ora News, u shpreh se bazuar në ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Erion Veliaj, nuk mund të jetë më kreu i bashkisë së Tiranës, pasi ai tani është banor i qarkut të Durrësit dhe voton në Durrës.

Këlliçi: Thelbi nuk është tek Erion Veliaj si individ, është tek filozofia e Edi Ramës dhe e Rilindjes pas vitit 2013 që ka nga një Erion Veliaj në çdo zonë.

Në çdo komunë apo ish komunë apo në çdo bashki të Shqipërisë. ‘5D’ në thelb, kryevepra e Erion Veliajt në bashkinë e Tiranës, mënyra më e sofistikuar që ai kishte gjetur për të vjedhur paratë e qytetarëve të Tiranës me drejtorët e tij është një skemë që po ta shihni është e shpërndarë edhe në institucione të tjera, edhe në ministrinë e Infrastrukturës edhe nëpër ministri të tjera, por është e shpërndarë edhe nëpër ish-komuna.

Unë vij nga zona e Vaqarrit ku ka një Erion tjetër por që në atë rast quhet Gentian Myrto.

Një bandit elektoral por jo vetëm, një hajdut I tokave të qytetarëve dhe banorëve të zonës së Vaqarrit i cili ka goditur për vite me radhë të gjithë qytetarët që nuk kanë votuar PS apo që kanë qenë mbështetës të PD.

E njëjta gjë ndodh në zona të tjera të Tiranës ku kam përmendur shpesh herë Arben Malokun, një prej banditëve më të mëdhenj elektoral që ka sot ende Tirana.

Adriatik Kupi një person tjetër në zonën e Bërzhitës, Baldushkut. Administratori I Lundrës, hajdut elektoral.

Makineria e cila ka blerë dhjetëra mijëra vota në Tiranë që është bashkia e Tiranës sot nuk funksionon ashtu siç ishte më parë.

Edhe pse Rama ka dhënë garancinë e tij të plotë që është ai tashmë kryetar i bashkisë së Tiranës dhe që është ai që i del garant punonjësve të bashkisë për të vijuar për të vjedhur votat.

Në thelb po, Veliaj sot nuk është në fushatë. Veliaj nga sot de facto e de jure është banor i qarkut të Durrësit.

Është votues në qarkun e Durrësit.

Automatikisht do duhej të kishtë pasuar një dorëheqje apo një shkarkim i Veliajt nga kryeministri.

Bazuar edhe në ligjin e Republikës së Shqipërisë, një kryetar bashkie që humbet banimin e përhershëm në zonën ku ai drejton bashkinë nuk mund të jetë më kreu i asaj bashkie.

Dhe sot Veliaj është banor i Durrësit dhe voton në burgun e Durrësit.


Shtuar 10.04.2025 10:57