Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, sot paradite bëri të ditur listën me lojtarët e thirrur për dy ndeshjet e para eliminatore të Shqipërisë për kualifikueset për Kupën e Botës 2026, atë më 21 mars ndaj Anglisë dhe tre ditë më vonë, ndaj Andorrës.
Nga lista e bërë publike ra në sy mungesa e Mirlind Daku-t, trajneri Sylvinho tha në konferncën e sotme për shtyp se sulmuesi kuqezi që luan në Rusi te Rubin Kazan nuk është thirrur për shkak dëmtimi.
Reagimi i Sylvinho-s siç duket nuk ka mjaftuar dhe në rrjetet sociale pati një lum komentesh dhe kritikash ndaj trajnerit brazilian, pse e la jashtë Daku-n, duke dyshuar se ai është vërtet i dëmtuar.
Në një prononcim të shkurtër për GazetaBlic Sport në Kosovë, Mirlind Daku ka pohuar që është lënë jashtë për shkak dëmtimi. “Në konsultim me doktorin dhe Sylvinho-n, kemi vendos që unë të pushoj dhe të rikuperohem plotësisht”, ka thënë Daku.