Në listat e hapura të PS/ Etjen Xhafaj: E prisja, më 11 maj vendoset nëse do të shkojmë drejt BE ose kundër Perëndimit

Etjen Xhafaj, deputet aktual i Partisë Socialiste, ka deklaruar se nuk priste që të ishte pjesë e listave të mbyllura, ndërsa i ka vlerësuar zgjedhjet e 11 majit si shumë të rëndësishme për të vendosur drejtimin që do të mbajë vendi ynë në drejtim me Perëndimin dhe BE.

“Nuk mendova që do të isha pjesë e listave të mbyllura. Këto janë zgjedhje të rëndësishme që vendosin një degëzim se ku do të shkojë vendi, drejt BE, apo kundër Perëndimit”, tha ai. Xhafaj foli edhe në lidhje me gjuhën e përdorur mes partive politike.

“PD nuk ka ndryshim në 34 vite në diskurin politik. Gjithmonë kanë qenë të gjithë trafikantë e kontrabandistë sipas PD, nëse kundër u kanë dalë ambasadorët, kanë qenë të tillë edhe ata. Duke nxirë të tjerët mundohen të dalin mirë vetë”, tha ai. Xhafaj u shpreh se PS ka ende punë për të bërë, por se ka një diferencë shumë të madhe me Shqipërinë sot dhe atë që ishte në 2013-ën. Sipas tij edhe në diasporë edhe brenda territorit, PS do të korrë fitoren e dhjetë.

“Nuk kemi asnjë synim të tërhiqemi nga hapat që janë hedhur për reformën në drejtësi, as rishikim i strukturës. Por me ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar është bërë një analizë e kuadrit ligjor të Kodit Penal për të parë funksionalitete dhe kostot për qytetarët shqiptarë. Jemi ndër vende e pakta që kemi më shumë të paraburgosur se të burgosur me vendim gjykate”, tha ai në lidhje me reformën në drejtësi.


Shtuar 14.03.2025 15:40