Deputetja Monika Kryemadhi, ka shprehur hapur mbështetjen ndaj Ilir Metës në Zgjedhjet e 11 Majit, duke thënë se ndaj ti, ka respekt politik, jo dashuri shpirtërore, ndërsa theksoi se marrëdhëniet personale me ish-bashkëshortin e saj kanë përfunduar.
Kryemadhi vlerësoi Metën, i cili kandidon për deputet në listën e hapur të PD-së në qarkun Tiranë, duke thënë se ai u tregua “burrë shteti” dhe se “nuk është frikacak të fshihet pas listave të mbyllura”.
“Për Metën nuk është dashuri shpirtërore apo emocionale, është respekt politik. Pavarësisht marrëdhënies time me Ilir Metën që ka mbaruar. Kur të dalë mund të pi kafe me Metën, por marrëdhëniet personale me të janë të përfunduara. Në aspektin politik, Monika Kryemadhi nuk është si të tjerat, inatin e nxjerr në mënyrat e tjera, jo në politikë. Politika është vlerë, princip, parim.
Monika Kryemadhi ka respekt politik për Ilir Metën, dhe veprimi i tij për të kandidur në listë të hapur, tregoi se është burrë shteti dhe nuk është frikacak të fshihet pas listave të mbyllura. Është një njeri që merr përsipër, që nëse nuk më votojnë, nuk kam pse të jem në parlament”, tha deputetja e PL.
E pyetur nga gazetarët se çfarë do të bëjë pas shtatorit, pasi nuk do të jetë më deputete në Kuvend, ajo u shpreh se ka në dorë një projekt të ri, të cilin do ta bëjë publik disa muaj pas zgjedhjeve
“Jam në një projekt shumë të ri, shumë të bukur. Do ju njoh shumë shpejt, ka të bëjë me një sjellje dhe risi tjetër të Kryemadhit, e cila do të jetë shumë interesante. do të jeni të ftuar të gjithë në aktivitetin e hapjes, do të bëhet 2-3 muaj pas zgjedhjeve. Është aktivitet me të rinj”, tha Kryemadhi.