FOTO/ Bisedat – Klotilda Bushka interesohej jo vetëm për dosjen “Veliaj-Xoxa”, por edhe për procesin e incineratorit të Tiranës.
Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka, njëherësh dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve nuk e ka mohuar lidhjen e fortë me Ajola Xoxën, bashkëshorten e kryebashkiakut të arrestuar prej një muaji tashmë Erion Veliaj nën hetim për disa vepra të rënda penale.
Dhe po ashtu, Bushka është shfaqur në takime private me përfaqësuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në vend, siç është dhe ish-kryetarja e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Naureida Llagami, që në parim për shkak të ndarjes së pushtetit nuk mund të jenë bashkë, shfaqeshin duke ngrënë për shtatë palë qejfi me njëra-tjetrën në një lokal privat te Shllavaret në Tiranë.
Por pavarësisht drekave dhe darkave, për hetuesit e dosjes “Veliaj”, Bushka është përfshirë në operacione të mirëfillta kriminale për shkatërrimin e provave hetimore, apo edhe intimidimin e dëshmitarëve të procesit të thirrur nga SPAK-u.
Por burime për “Ora News” bëjnë me dije se Bushka nuk ka qenë aktive vetëm për hetimin ndaj Xoxës, por ajo është ingranuar që në hetimet dhe arrestimet e para për dosjen e shumë-përfolur të korrupsionit me incineratorin e Tiranës që për opozitën nuk ekziston fare.
Dhe sërish arsyeja e angazhimit të saj ka lidhje me Ajola Xoxën.
Telefoni i “penduar” i bashkiakut të Tiranës, “kryeinceneratori” që djeg i fikur
Vënia në lëvizje dhe interesimi i Klotilda Bushkës me ish-drejtuesen e KLGJ-së Naureida Llagami niste kur çështja do të shqyrtohej të nesërmen në Apelin e GJKKO-së kërkesa për lirimin e kushëririt nga e ëma të arrestuar për aferën e incineratorëve, Namik Simixhiu.
Pjesë nga bisedat në fjalë në aplikacionin “Whatsapp” janë siguruar nga “Ora News”, që janë dhe lehtësisht të verifikueshme nga strukturat hetimore.
Nga të njëjtat burime mësohet se bisedat i përkasin dhjetorit të vitit 2023 kur Klotilda Bushka dhe Naureida Llagami interesoheshin për procesin e të akuzuarve për hetimin e incineratorit të Tiranës.
Nga të njëjtat burime mësohet se arsyeja se pse Bushka mobilizohej kur çështjet kalonin në Apel është banale, pasi kryetarja e Ligjeve nuk kishte akses dhe lidhje tek gjyqtarët e Shkallës së Parë të GJKKO-së, duke lënë të kuptohet se mbrojtja e njerëzve pranë pushtetit bëhet pikërisht kur çështjet apelohen ku dhe ata mendojnë se kanë vendosur njerëzit e tyre.
Dhe në bisedë kuptohet që Llagami në atë kohë në krye të KLGJ-së ka arritur t’ia sigurojë aksesin përmes grafikut që i kërkon Bushka.
Më poshtë bisedat nga numrat e Klotilda Bushkës dhe Naureida Llagami
BISEDA 1
FOTO+VIDEO/ Bisedat – Klotilda Bushka interesohej jo vetëm për dosjen
– Nesër ankimohet më thonë. Ajo e masave… Të incin… Kaq më thanë.
– Po pra. Ja çova grafikun!
– I thashë që ankim nesër po mthot listën du. Skom listë i thashë. Shirkun ose eng me të…
BISEDA 2
– Zemra. Info që më sollën tani. Është që nesër ankimohet. Kaq.
– Smarr vesh.
– Masat e incin… Pra!
– Po pra!
– Se pyetëm, por nuk na e varin dhe vetëm kaq mora vesh. Që nuk e ankimu ende. E gjitha! Nesër.
– Po doja listën e who’s në punë.
– Grafikun nuk e kam. Shirka ose Engi… Por sma confirm.
HETIMI PËR BUSHKËN
Në deklaratën e SPAK pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj tërhoqi vëmendje mes të tjerave edhe përfshirja në këtë çështje e deputetes socialiste Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve.
Ajo është vënë nën hetim me dyshimet se ka qenë e përfshirë në veprime aktive në një fushatë për frikësimin e dëshmitarëve, helmimin e provave dhe pengimin e hetimit në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti.
Në dosjen qindra faqëshe të GJKKO-së, Bushka thuhet se ka ndërhyrë për të penguar hetimet e SPAK, duke intimiduar dëshmitarë dhe duke u marrë telefonat që të mos i dorëzonin në SPAK. /oranews