Konferencë për Integrimin Europian, diskutohet për planet e zgjerimit të Shqipërisë dhe rajonit

Sot në Pallatin e Kongreseve kanë filluar punimet nga Konferenca e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Europian/Çështjet Europiane e Shteteve Pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Europës Juglindore.

Në sesionin e hapjes së Konferencës, moderuar nga kryetarja e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, znj. Jorida Tabaku, është e pranishme kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani dhe Ambasadori i Bashkimit Europian, z. Silvio Gonzato.

“Zgjerimi i BE-së dhe zgjerimi euroatlantik për rajonin mbetet prioritet. Është e vertetë që me zgjedhjet që kanë ndodhur në Europë dhe SHBA, ne duhet edhe një herë të intensifikojmë përpjekjet strategjike, por edhe politikat e jashtme të jenë të orientuara pikërisht aty ku ka më shumë nevojë, në zgjerimin e rajonit tonë dhe nga ana tjetër të kujdesemi që politika e jashtme të ruajë prioritetet”,- tha Tabaku.

“Jemi bashkë për të diskutuar për sfidat e anëtarësimit në BE. Integrimi nuk është vetëm një projekt më vete i vendeve tona, por është një projekt rajonal e më gjerë. Të gjithë jemi dëshmitarë që kjo pjesë e kontinentit ka marrë një konotacion politik, që besoj se nuk duket i drejtë”,-tha Spiropali.

Punimet e kësaj konference do të vazhdojë me diskutime të tjera mbi integrimin e Shqipërisë dhe rajonit.


Shtuar 28.02.2025 11:30