Në një intervistë të dhënë me shkrim për emisionin Top Story në Top Channel me Grida Dumën, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj foli edhe për mbledhjen e bërë në sheshin Skënderbej nga Edi Rama me punonjësit e bashkisë.
Po ashtu Veliaj iu përgjigj edhe akuzave se në bashki po digjeshin dokumente.
Pyetje: Si u ndjeve kur Edi Rama mblodhi gjithë stafin e Bashkisë së Tiranës në shesh, një organizim që ti vetë nuk do ta kishe bërë kurrë?
Erion Veliaj: U emocionova pa masë!
Kemi një bilanc të qartë. 7 fitore rresht në Bashkinë e Tiranës dhe nga mesjeta e kemi bërë Kryeqytet Europian të Rinisë në 2022, të Sportit në 2023, të Kulturës sot, Giro d’Italia e komuniteti politik Europian nesër.
Unë nuk e di a mund të ketë një vlerësim më të madh se sa ai që Kryeministri i vendit të kujdeset për vijimin e punëve të pasionit e dashurisë së madhe të jetës sime – Tiranës.
Pyetje: Ka akuza nga opozita që arkiva me dokumenta e Bashkisë së Tiranës po asgjësohen dhe po zhvendosen me kamionë? Si është e mundur lëvizja e dokumentave në atë mënyrë dhe a keni dijeni çfarë ka qenë zjarri në tarracën e Bashkisë?
Erion Veliaj: Ju falenderoj për humorin se edhe unë kam nevojë të buzëqesh pas 17 ditëve në izolim. Si të ta them thjesht?
Prej disa vitesh parkohet në lulishten para bashkisë një hermafrodit nga PD-ja, një si biçim gjys-burrë/gjys-grua, një si tip Ols Dado, por me flokë, njëfarë Kalaje e rrënuar nga hordhitë imagjinare, që kamionin i cili shkon çdo javë në Arkivën Qendrore e sheh si kuti votimi që varros PD-në ende pa nisur fushata, dhe që tymin e kaldajës së sapondezur e merr si tymi i Vatikanit, që i thotë “Habemus Papam” – dhe Edi Rama e PS-ja fituan mandatin e 4-t, ndërsa këneta me bufin do vazhdojnë edhe 4 vite zgërlaqje e zvarritje në llucë.
Ndjesë që s’të jap dot përgjigje serioze për Ols Kalanë – janë njësoj, dy personazhe tragji-komike, që kanë më shumë hall t’i pëlqejnë Saliut, se t’i ruajnë cipën fytyrës së tyre.
Ju përqafoj me mall aty në studio dhe mezi pres të jem aty sa më parë.