Një tjetër skandal nga dosja hetimore e SPAK-ut e zbardhur nga gjykata, eshte publikuar sot ku tregohet se si miliona lekë kanë kaluar nga TKOB (Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit) tek Elman Abule dhe nga ky i fundit tek OJF e Ajola Xoxës.
Mesazhet e dy financiereve, ajo e Elman Abules dhe Ajola Xoxës, nxjerrin zbuluar të gjithë skemën.
Ekonomistja e Elman Abules, i nis Adela Kondakçiut disa foto që duket se kanë lidhje në përmbajtje të tyre me dy kontrata qiraje të lidhura mes “Rametal” sh.p.k. dhe TKOB. Konkretisht, sipas njërës kontratë, “Rametal” sh.p.k. merr përsipër të japë me qira, pra të përfitojë të ardhura nga TKOB nëpërmjet qirasë në këtë rast, një seri artikujsh të përcaktuar në aneks, për baletin “Preljocaj”.
Po kështu, në kontratën tjetër “Rametal” sh.p.k. i jep me qira TKOB një seri artikujsh skenikë, këtë radhë për eventin “Sonoma”, i përmendur më lart kur folëm për financimet e marra nga “BYL-A” prej Bashkisë Tiranë dhe KRK-së.
Shumat e qirasë për rastin e baletit “Preljocaj” është 1.213.380 lekë dhe për “Sonoma” 1.868.220 lekë.
Këto shuma është rënë dakord të kalohen në llogarinë bankare të “Rametal” sh.p.k. me përfaqësues shtetasin Elman Abule, i cili ka nënshkruar dhe kontratat, me transfertën përkatëse bankare.
KOMUNIKIMET MES FINANCIEREVE
Në këtë moment, Adela Kondakçiu, në faqen 52 i thotë bashkëbisedueses: “Për pjesën e rakordimit bashkë do flas me shefen.”
Ekonomistja i përgjigjet: “Po pa merak. Këtë e zgjidhim.”
Deri në këtë moment, edhe pse është e qartë se “Rametal” sh.p.k. financon në mënyrë jo të drejtpërdrejtë eventet artistike të organizuara nga OJF-të e shtetases Ajola Xoxa, sipas organit procedues nuk kuptohet pse këto kontrata qiraje janë objekt diskutimi mes dy financiereve.
Më pas, në lidhje me këtë nis të kuptohet diçka, kur Adela Kondakçiu në faqen 55 i kërkon ekonomistes të dijë sa është diferenca për t’u faturuar nga ata (kuptohet nga OJF që organizon eventin).
Ekonomistja i përgjigjet: “8326.25 (euro) është pagesa që kemi bërë ne për La Veronal.” Adela i thotë se sipas llogarive të saj i bie një vlerë prej 2.016.000 lekësh me TVSH dhe kërkon konfirmim për këtë.
Pasi merr kohë, ekonomistja i përgjigjet në faqen 57 se: “Totali i faturës të TOB është 36.436 euro, prej së cilës duhet të zbriten 8326 euro pagesa për La Veronal dhe 6072 euro TVSH. Në përfundim vlera është 22.037 euro.”
Adela i përgjigjet në faqen 5859 se ajo nuk i ka vlerat totale, por ka një konfirmim nga Keti (Ketrina Braho-“Harabel”) vetëm vlerën 28.800 euro, e cila duhet të mbulohet nga “Rametal” sh.p.k.
Interesant në këtë pikë është fakti se kjo vlerë që duhet të mbulohet nga “Rametal” sh.p.k., pra duhet të faturohet nga një prej OJF-ve ose shoqërive të Ajola Xoxës është pak a shumë me vlerën e faturave të lëshuara nga “Rametal” për TOB.
Në faqen 59 të komunikimeve ekonomistja i dërgon dy fatura të prodhuara nga “Rametal” sh.p.k. për Teatrin e Operës, për vlerën 1.456.056 lekë dhe 2.241.864 lekë.
Në faqen 61 Adela Kondakçiu i thotë që, në mënyrë që edhe “Rametal” mos paguajë TVSH, faturat të mos bëhen tani në dhjetor.
Ekonomistja i përgjigjet në faqen 62: “Më mire për ne me TVSH.”
Në vijim Adela Kondakçiu e pyet në faqen 63: “Po përshkrimet në fatura si doni që t’i bëjmë?”
Ekonomistja ia kthen: “Ka ndonjë hapësirë të na i bëni nga ‘Harabel’ faturat?”
Adela i përgjigjet po në faqen 63: “Nëse e bëjmë nga harabel i bije që do e bëjmë sponsorizim. Është dhe pa tvsh në fakt” (faqe 64).
Pra, nga këto komunikime më së paku rezulton e qartë se faturat që lëshohen nga OJF e shtetases Ajola Xoxa janë fiktive në shërbimet që supozohet të kenë ofruar. Në këtë rast, nga “Rametal” sh.p.k. kërkohet që një OJF të lëshojë faturë për një sh.p.k. si “Rametal” sh.p.k., por kjo duket e pamundur objektivisht, pasi një organizatë jofitimprurëse mund të përfitojë vetëm sponsorizime nga subjekte të tjera private. Akoma më qartë del qëllimi i bashkëbiseduesve për të prodhuar fatura, të cilat nuk pasqyrojnë realisht shërbimin e kërkuar dhe të ofruar, por shërbejnë vetëm për të kaluar shumën e të hollave te llogaria bankare e “Partners law”.
Konkretisht, në faqen 64, ekonomistja i përgjigjet Adela Kondakçiut: “Shiko, nëse ju pret puna e bëjmë pas pushimeve. Në të kundërt bëje nga PARTNERS. CA TË THEM. Se nuk e di as unë tani.”
Adela vijon duke e pyetur: “Po të bëjmë faturë qira për pajisje nga një shpk? Jo Partners dmth”.
Edhe nga kjo rezulton e qartë se faturat që do të lëshohen në emër të “Rametal” sh.p.k., nga OJF-të e kontrolluara nga shtetasja Ajola Xoxa, janë tërësisht fiktive.
Ekonomistja i përgjigjet: “Po edhe ashtu mirë është.”
Në vijim kujtohet dhe shton: “Po i bie që edhe kontratën që bëm për Preljocaj duhet ta bëjmë me këtë shpk që do na bëni faturën. Se nuk lidhen pastaj.”
Adela Kondakçiu i thotë që me Preljocajn kanë bërë transport. Ekonomistja i thotë edhe pajisje dhe shton: “SE IDEJA ËSHTË QË NË KEMI NJË KONTRATË ME PRELJOCAJ POR SKEMI FATURË. DHE PËR ATË JEMI ZBULUAR.”
Në këtë moment, Adela Kondakçiu e pyet nëse këtë kontratë e kanë dorëzuar diku, por ekonomistja e “Rametal” i përgjigjet: “Deri tani jo. Vetëm noterja e ka.”
Adela Kondakçiu i drejtohet ekonomistes duke i thënë: “Doja të njoftoja që po bëj këtë faturën për Rametal sot për diferencat e TOB. Faturën do e bëj nga Partners Laë edhe do të jetë me TVSH.”
Pra, më në fund vendosin se nga do të lëshohet fatura dhe shoqëria është “Partners Law” sh.p.k. e shtetases Ajola Xoxa.
Ekonomistja i përgjigjet: “Në rregull.” Faqe 71. Adela Kondakçiu i dërgon vlerën: “22.000 euro plus tvsh.”
Përgjigjja është: “Ok. Adela Kondakçiu i kërkon ekonomistes të konfirmojë nëse është bërë pagesa e faturës për Partners.”
Ekonomistja i përgjigjet në faqen 73 se akoma nuk e kanë mbyllur dhe do e njoftojë sapo të procesohet.
Pra, në të gjithë këtë skemë të shpjeguar nga gjykata në mënyrë analitike rezulton se TKOB ka bashkëpunuar me OJF e Ajola Xoxës për shfaqjet, ndërsa Elman Abule përmes “Rametal” ka dhënë miliona lekë për kostumografi dhe skenografi.
Këtë e pohon dhe Elman Abule, në deklarimet e tij para prokurorëve ku shprehet se do të zhvillohej një shfaqe artistike dhe Rametal ka mbuluar logjistikën.
Shfaqjen nuk e di kush e organizonte. Tregon se është organizuar me urgjencë pasi kështu ia ka kërkuar Marisa, e cila kishte biseduar me Ajolën. Ka sqaruar se pagesat e marra nuk i mban mend dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur me shumën e arkëtuar.
“Është pyetur në lidhje me shërbimin që i ka ofruar Teatrit të Operës dhe Baletit, dhe shpjegon se do të zhvillohej një shfaqe artistike dhe Rametal ka mbuluar logjistikën. Shfaqjen nuk e di kush e organizonte. Tregon se është organizuar me urgjencë pasi kështu ia ka kërkuar Marisa, e cila kishte biseduar me Ajolën. Ka sqaruar se pagesat e marra nuk i mban mend dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur me shumën e arkëtuar”, ka deklaruar Abule para prokurorëve./Oranews