Një tjetër reagim ka ardhur këtë të diel nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ndodhet prej datës 11 shkurt në burg, i akuzuar nga SPAK për korrupsion.
Në postimin e radhës në facebook, Veliaj i përgjigjet komenteve në rrjet, teksa shkruan se nuk dëshiron shkrirjen e SPAK, por lufta e tij është me atë që e burgosi para zgjedhjeve.
Më poshtë postimi i plotë
Dëgjova për komentin e një dashamirësi, që më inkurajonte të çmontoja akuzën perverse të Ols Dados, por më kritikonte pse merresha me të personalisht!
E mirëkuptoj, dhe madje mendoj se me siguri ka të drejtë kur thotë kapu tek e vërteta jote, e mos u bëj si Saliu që sulmon Dumanin dhe prokurorët e SPAK-ut! Por, më duhet ta pranoj se, megjithëse s’do doja kurrë të arrinin punët deri këtu dhe të më duhej të demaskoja një pis që godet për llogari të Sali fundërrinës, e kam të pamundur ta pranoj se SPAK-u mund të ketë surratin e Ols Angonit!
Prandaj, të ma falin ata që e konsiderojnë gabim reagimin tim ndaj këtij dështaku të rrezikshëm.
Por, ndërkohë i siguroj se ndryshe nga Saliu i Nesti Dados, unë nuk e kam me SPAK-un, po me abuzimin e një kllouni me të gjithë përpjekjen popullore për drejtësi.
Ndryshe nga Saliu, të cilit as i është kontrolluar banesa, as i janë marrë telefonat familjarisht, as i janë vënë në kurriz “prona të fshehura” në emër të vajzës a djalit, mua më kanë ndodhur të tëra këto e më keq se kaq, por unë nuk e kam asgjëkundi me reformen në drejtësi, me SPAK-un apo me kolegë të Ols Angonit, që meritojnë mbështetje dhe respekt.
Tani ç’të them, e keqja ka emër dhe nëse për Saliun mbretin e kënetës, e keqja quhet SPAK, për mua e keqja e ime dhe e SPAK-ut vetë quhet Ols Dado, një “vrasës me pagesë”, që aspak çuditërisht këmbët prej gjarpëri i ka në kënetën e Saliut.
Për të mos e harruar fare, pjesë e së keqes është edhe Erion Bani, një tjetër produkt i mirënjohur i kënetës, që gjendet gjithnjë gati kur duhet të goditet një armik socialist.