VIDEO /U dhunua brutalisht, kreu i Operatorëve Turistikë të Sarandës flet i gjakosur pas konfliktit: M’u vërsulën brenda makinës dhe…

Janë publikuar pamjet nga incidenti i dhunshëm që ka ndodhur sot me biznesmenin Arben Çipa, i cili ka përjetuar një sulm brutal pas një konflikti lidhur me një projekt biznesi.

Në pamjet që janë bërë publike, Çipa shfaqet i gjakosur dhe i dhunuar rëndë, me shenja të dukshme të grushtave dhe përdorimit të sendeve të forta, që sipas tij janë përdorur nga autorët.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të drekës sot, kur biznesmeni Çipa ishte në rrugë duke u drejtuar për në punën e tij. Sipas deklaratave të bëra nga Çipa të dy personat që e sulmuan Arben Çipën kishin të bëjnë me një projekt biznesi, për të cilin kishte pasur kundërshti.

Ai tregon se teksa ishte në rrugë, një prej sulmuesve, i identifikuar si Dio, e ka ndaluar dhe ka filluar të diskutonte lidhur me këtë projekt që kishte të bëjë me biznesin e Çipës.

“Unë isha duke shkuar në punë, kur papritur një person me emrin Dio më ka prerë rrugën bashkë me një tjetër dhe ka nisur të fliste për një çështje lidhur me një projekt timin. Ata ishin duke bërë gjithçka për të penguar zhvillimin e tij dhe këtë e shprehnin në formë fyerjesh,” tha Çipa në deklaratën e tij. “Në atë moment unë nuk i kam pranuar fyerjet dhe ata kanë shfrytëzuar momentin dhe më janë vërsulur brenda makinës time me grushte dhe gurë dhe e kam pasur të pamundur të mbrohem në atë moment”, tregon ai.

Pas sulmit, Çipa ka pësuar lëndime të rënda, duke përfshirë gjakderdhje dhe plagë të shumta, dhe është transportuar menjëherë në spital për trajtim mjekësor.

 


Shtuar 22.02.2025 20:32