Rama replika me komentuesit: Tiranën e ngrita unë, as sahati nuk punonte…

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar ndaj komenteve të publikuara në video-kujtesën e tij të postuar në profilin e tij, ku tregohej zhvillimi i Tiranës nga vitet 2000 e më tej, periudhë kur ai vetë ka shërbyer si kryebashkiak i kryeqytetit.

Në përgjigje të kritikave, Rama theksoi se nuk ishte ai që kishte “dredhur zinxhirët” por kishte punuar për të realizuar zhvillimet në Tiranë, ndërsa theksoi se çdo detyrë duhet të kryhet nga çdo udhëheqës.

“Aty ishin të tjerët para meje. Për detyrën i kishin vendosur edhe ata. Detyrën duhet të bëjnë të gjithë. Nuk e kam ulur qiellin në tokë, por Tiranën e kam ngritur nga varri dhe këtë nuk ma heq dot kush”, tha ai.

Kryeministri shtoi se ata që nuk duan ta shikojnë këtë zhvillim, mund të mos e shohin fare, por Tirana nuk është më “Kandahar”, dhe Shqipëria ka arritur një nivel që sipas tij, nuk mund ta arrinte askush.

Për një koment të dytë që sugjeronte se çdo udhëheqës mund ta kishte realizuar zhvillimin e Tiranës, Rama u shpreh: “A thua se kushdo që të ishte do bënte piramida në 1997? A thua që kushdo që të ishte do ngrinte Tiranën nga varri në vitet 2000 dhe do të bëntë qytet evropian me miliona turistë në vit?” Ai theksoi se Tirana është ngritur falë angazhimit të tij dhe të PS, dhe jo nga ata që “sa herë kanë pasur diçka në dorë, kanë zhbërë”.

Në përgjigje të një komenti të tretë që kritikonin zgjerimin e rrugëve dhe gjelbërimin e qytetit, Rama shpjegoi se të gjitha rrugët janë zgjeruar dhe përmendi faktin se pemët që ndodhen në qytet janë mbjellë pas periudhës së diktaturës. “Historinë lërja historisë. Këtë Kandahar e bëra qytet evropian,” përfundoi ai.


Shtuar 21.02.2025 12:30