Seanca për ndarjen mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, është shtyrë për në datën 11 prill, ora 10:30. Shkak është bërë mosparaqitja e Kryemadhit në seancë, e cila bëhej nëse mes tyre do të kishte pajtim ose jo.
Meta po ashtu nuk ishte i pranishëm, por kishte lënë autorizim avokatin e tij, Genc Gjokutaj.
Padia për divorc është ngritur nga presidenti i PL-së, Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli.
Kujtojmë se ish- presidenti i Republikës Ilir Meta, njoftoi më 20 qershor 2024 se kishte nisur procedurat e divorcit me bashkëshorten e tij, pas 26 vitesh martesë, Monika Kryemadhin si dhe kishte depozituar në Gjykatën e Tiranës kërkesën e divorcit.
Në një deklaratë për mediat, kur Meta ishte ende i lirë, deklaroi se ai dhe ish-bashkëshortja e tij (si e ka quajtur ai) kanë ndjekur rrugën ligjore.
Për këtë çështje kreu i PL-së tha se njoftoi edhe djalin e tij Besarin, i cili i tha se meqë kanë kaq shumë tensione dhe probleme me njëri-tjetrin ‘pse nuk gjeni një zgjidhje më të qetë’ dhe divorci sipas tij është zgjidhja. Shkak për ndarjen sipas ish-presidentit të vendit ishin këndvështrimi për SPAK-un.
“Monika është më afër me SPAK-un se sa me mua. Por SPAK-u nuk e merr dot peng Ilir Metën, as përmes bashkëshortes, as përmes askujt tjetër”, tha Meta aso kohe.
Meta dhe Kryemadhi, janë martuar në tetor të 1998 dhe nga martesa kanë tre fëmijë, Bora, Besar dhe Era Metaj.