Delegacioni i Bashkimit Evropian ka thekuar sot rëndësinë e pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si një element kyç për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Në një reagim, Delegacioni i BE-së thekson se hetimet dhe ndjekjet penale të SPAK duhet të zhvillohen pa ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, duke mbështetur kështu pavarësinë e këtij institucioni në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Delegacioni rithekson mbështetjen për SPAK dhe pavarësinë e tij, duke e konsideruar atë si një shtyllë kryesore të Reformës në Drejtësi dhe të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Delegacioni i BE-së gjithashtu vë theksin tek rëndësia e vazhdimit të Reformës në Drejtësi dhe forcimit të institucioneve të pavarura, duke kërkuar përputhshmërinë e tyre me standardet evropiane si në sektorin e drejtësisë ashtu edhe në atë të zbatimit të ligjit.
“Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim”, thuhet në deklaratën e bërë publike nga zyra e shtypit e Delegacionit të BE-së.
“Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.”- thuhet në reagim.
Në lidhje me shqetësimet për sigurinë e mjediseve dhe personelit të SPAK, Delegacioni i BE-së informon se ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, e ka ngritur këtë çështje gjatë një takimi me Ministrin e Brendshëm.
“Ambasadori ka marrë garanci se mbrojtja e SPAK dhe siguria e magjistratëve dhe stafit të tij do të garantohen në çdo rrethanë” – thuhet në deklaratën e Delegacionit.