Raundi i parë i bisedimeve SHBA-Rusi për paqen në Ukrainë, Zelensky: Nuk do t’i bindemi ultimatumeve

Presidenti Volodymyr Zelensky, është shprehur se Ukraina nuk do t’i dorëzohet ultimatumeve të Rusisë, pas bisedimeve mes zyrtarëve të administratës Trump dhe Moskës në Arabinë Saudite.

Zelensky, i cili nuk ishte i ftuar në bisedimet SHBA-Rusi, tha se Ukraina nuk iu dorëzua ultimatumeve ruse kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë tre vjet më parë, dhe nuk do ta bëj këtë as tani.

“Rusia sulmoi Ukrainën dhe ne nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të merrnim armët dhe të mbroheshim. Dhe nuk kishte diplomaci sepse Rusia sulmoi, sulmoi Ukrainën natën dhe ukrainasit morën armët dhe filluan të mbronin vendin e tyre”, tha Zelensky në një konferencë shtypi në kryeqytetin e Turqisë, Ankara.

Zelensky tha se Moska i dha Ukrainës një ultimatum menjëherë pas nisjes së pushtimit të saj, duke kërkuar që Ukraina të zvogëlojë numrin e trupave të saj dhe të lejojë Moskën të instalojë një udhëheqje pro-ruse në Ukrainë.

“Nëse ne nuk iu bindëm të gjitha këtyre ultimatume në momentin më të vështirë, Ukraina nuk do ta bëjë atë tani”, tha presidenti.

Para bisedimeve të së martës në Riad, Zelensky kishte thënë se do të refuzonte të nënshkruante çdo marrëveshje të negociuar pa përfshirjen e Kievit.


Shtuar 18.02.2025 17:00

Tags: ,