Pas deklaratave të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për prokurorët e SPAK, ka reaguar edhe Diaspora për Shqipërinë e Lirë.
Reagimi:
KËRKESË PUBLIKE
“Për Garantimin e Pavarësisë dhe Autoritetit të Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”
Drejtuar:
Presidentit të Republikës së Shqipërisë
Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)
Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ)
Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP)
Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri
Komisionit Evropian / DG NEAR
Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian
Delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë
Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Misioneve të tjera diplomatike dhe organizatave partnere
Mediave të Republikës së Shqipërisë
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, misioneve dhe mediave në Shqipëri,
Ne, qytetarët shqiptarë të Diasporës, të angazhuar për mbrojtjen e parimeve të shtetit të së
drejtës dhe integritetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, shprehim shqetësimin tonë të thellë
për sulmet e vazhdueshme publike kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që po trajtojnë
çështje të rëndësishme penale dhe korrupsioni.
Publikimet dhe deklaratat denigruese të përhapura në media, të cilat cënojnë drejtpërdrejt
profesionalizmin, autoritetin dhe pavarësinë e magjistratëve, bien në kundërshtrim flagrant
me parimin e shenjtë të “Ruajtjes së autoritetit dhe paanshmërisë së gjyqësorit” (Maintaining
the authority and impartiality of the judiciary), i cili mbrohet nga Kushtetuta e Republikës së
Shqipërisë, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), si dhe Kodi Penal dhe Kodi i
Procedures Penale të Republikës së Shqipërisë.
Një shtet i së drejtës, dhe kandidat për t`u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, nuk mund të tolerojë këto praktika që minojnë besimin e publikut tek drejtësia dhe ndihmojnë të krijojnë presion mbi magjistratët, për të devijuar trajtimin e çështjeve me interes të lartë publik.
Deklaratat e bëra pas arrestimit të tij, nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe
deklarata të mëparshme kundër sistemit të drejtësisë të bëra nga politikanë të tjerë të
pozitës dhe opozitës, minojnë parimin e shtetit të së drejtës dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor.
Shpesh deklaratat e tyre përbëjnë vepër penale sipas Nenit 318 të Kodit Penal i cili sanksionon
se: “Fyerja e gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit ose anëtarit të
arbitrazhit, për shkak të veprimtarisë së tyre në një çështje, përben kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj”.
DPSHL 8046 Zyrih, Zvicër ● [email protected] ● www.diasporaofalbania.com ● UID: CHE-209.641.991
Së fundmi, një skandal i rëndë ka përshirë mazhorancën qeverisëse, ku Kryeministri i
Republikës së Shqipërisë i ka drejtuar një deklaratë të papranueshme një institucioni
kushtetues si SPAK dhe tërë sistemit të drejtësisë, duke deklaruar: “Mos të gabojnë të
kërkojnë telefonin tim.”
Një sjellje e tillë minon shtetin e së drejtës dhe shpresat e Shqipërisë
për integrimin e vërtetë në BE, pasi synon të pengojë institucionet e drejtësisë në detyrën e tyre
dhe të nxisë pandëshkueshmërinë, duke dhënë mesazhin se dikush në Shqipëri mund të jetë mbi
ligjin, qofshë ky edhe Kryeministri.
U bëjmë thirrje mediave që të jenë mjaft të kujdesshme dhe të respektojnë standardet e
vendeve të zhvilluara dhe të Bashkimit Evropian, duke ushtruar autocensurë dhe kujdes kur
bëhet fjalë për mbrojtjen parimit kushtetues të autoritetit të pushtetit gjyqësor.
Mediat nuk duhet të publikojnë kurrësesi deklarata nga persona në hetim, të pandehur ose avokatët e
tyre në lidhje me çështje që janë në proces hetimi apo gjyqësor, duke shmangur kështu
ndikimin mbi opinionin publik dhe proceset e drejtësisë.
KËRKOJMË ME URGJENCË:
1. Deklaratë publike nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që
të denoncojnë dhe të dënojnë sulmet e padrejta kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, si
dhe të riafirmojnë mbrojtjen institucionale ndaj pavarësisë së gjyqësorit.
2. Deklaratë nga Prokuroria e Posaçme SPAK, ku të paralajmërohet se do të ndjekë rrugë
ligjore për ndalimin e deklaratave dhe publikimeve që dëmtojnë hetimet dhe cenojnë
figurën e magjistratëve, duke përfshirë fillimin e ndjekjes penale për fyerjen e
magjistratëve.
3. Në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, paraqitjen nga Prokuroria e
Posaçme SPAK, në gjykatë, të një kërkese ligjore për ndalimin e publikimit të
deklaratave nga persona në hetim, të pandehur dhe avokatët e tyre në media
publike, për aq kohë sa deklaratat ndikojnë në pavarësinë e drejtësisë dhe procesin e
rregullt ligjor.
Pse kërkojmë këto masa?
Për të mbrojtur integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që përballen me presione të
padrejta.
Për të garantuar një proces penal të drejtë, të paanshmëm dhe larg ndikimeve politike apo
mediave.
Për të forcuar besimin e qytetarëve tek reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit.
Ne, Diaspora për një Shqipëri të lirë dhe të drejtë, do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër
zhvillimet dhe do të denoncojmëm këdo që minon institucionet e drejtësisë dhe rrezikon të
ardhmen demokratike dhe Europiane të Shqipërisë.
DIASPORA PËR SHQIPËRINË E LIRË