Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, tha se qeveria e Partisë Demokratike, do të bëjë gjithçka që taksat të kthehen tek qytetari me shërbime ndaj tij.
Deklarata e liderit të opozitës, u bë gjatë fjalës së mbajtur në takimin e prezantimit të programit ekonomik të PD.
“Në qoftë se, parmbrëmë në Mynih, në qoftë se kishte një njeri që në mënyrën më konkrete i takonin pikë për pikë ato për të cilat foli zv.Presidenti, JD Vance, ishte Edi Rama.
Ai ishte aty, si kryeministri që ka arrestuar tre liderët e opozitës, dhe vendosur në procese politike. Ai ishte aty, si kryeministri, gjykatat e të cilit kishin marrë mandate të zgjedhurish nga qytetarët. Ai ishte aty si censori që do të mbyllë Tik Tokun, vetëm e vetëm se nuk duron dot kritikat e tyre, kritikat e të rinjve në Tik Tok.
E theksova këtë moment për të vënë në dukje, se çfarë përgjegjësie të madhe kemi ne demokratët konservatorë të Shqipërisë për të ndryshuar këtë situatë dhe natyrisht, në qoftë se këto janë shprehjet evidente arrestimi i liderëve të opozitës, marrja e mandateve me gjykata, vuajtjet, dhunimet e qytetarëve shqiptarë për shkak të ekonomisë së drogës, për shkak të narko-euros, për shkak të oligopoleve, për shkak të oligarkëve, janë më të mëdha se në çdo vend tjetër në Europë.
Shikoni Shqipërinë sot. Shqipëria ka rritje ekonomike, ndërkohë varfëria thellohet, ndërkohë konsumi nuk rritet në paralel me rritjen. Ndërkohë, çmimet shkojnë në stratosferë, rrogat zbresin në raport me to në mënyrë progresive.
Asnjë komb tjetër në 10 vite, kurrë në histori, çfarëdo që të ketë pësuar, luftrat më të egra, luftrat rajonale, luftra botëore, kurrë nuk është zhdukur 45% e kombit në 12 vite, siç u zhdukëm ne, siç u larguam ne. Dhe kjo, për shkakun më kryesor, gjendjen e vështirë ekonomike, mungesën e perespektivës, varfërimin progresiv.
Ndaj dhe ne, sfidave do t’i përgjigjemi para së gjithash. Meqë jemi në këtë fushë, me garantimin e lirisë ekonomike të qytetarëve shqiptarë, me nxitjen e iniciativës së lirë, me garantimin e ligjit dhe shtetit ligjor, pa të cilin nuk ka ekonomi tregu. Me garantimin e konkurrencës së ndershme, me zbatimin e atyre parimeve që kemi zbatuar.
Dy vite pas themelimit tonë, ne besonim shumë tek parimi i taksave të ulëta, dhe aso kohe vendosëm taksat më të ulëta. U rikthyem përsëri, vendosëm sistemin fiskal më të lehtë, dhe përsëri do ta bëjmë tani. Ne do të çlirojmë qytetarët shqiptarë dhe bizneset nga barra e tmerrshme e taksave. Nga dora e zezë e shtetit e cila shtrihet në çdo proces dhe në çdo at të veprimtarisë së tyre, që si e si t’i grabisë, t’i plaçkisë dhe t’i shtypë.
Ne do bëjmë gjithçka t’i japim siguri juridike këtij vendi, që sot nuk ka sistem drejtësie. Sot, një çështje civile kërkon 15 vite. Ky është dënimi më i madh. Sot, investitorët e huaj nuk investojnë dot në Shqipëri, nuk mund të investojnë. Ne angazhohemi të kthejmë paratë tek qytetari.
Elon Musk, nga zyra e Presidentit Trump dy ditë më parë, ju e dini që ai po merret me një reformë shumë të thellë të administratës dhe shifrat që japin mediat janë që, u kursyen kaq miliardë këtu, kaq miliardë aty. Dhe ai deklaroi që: nuk është problemi i miliardave, problemi është i demokracisë. Problemi themelor këtu është i raportit të taksave me qytetarin, i përgjegjësisë së atyre që përdorin këto taksa para qytetarëve. Dhe unë për këtë po luftoj, deklaroi Elon Musk, një gjeni.
Kështu që, edhe ne do bëjmë çdo gjë që këto taksa t’u kthehen qytetarëve”, deklaroi Berisha.