Këtë të enjte, në një deklaratë për mediat, Anëtari i Kryesisë së PD, Belind Këlliçi, u shpreh se Policia i la qëllimisht drejtorët e bashkisë dhe paramilitarët e Rilindjes të rrethonin SPAK-un, gjatë seancës për Veliajn dhe se kanë nisur kërcënimet dhe ndaj gjyqtares Ilirjana Olldashi.
Deklarata e Këlliçit:
Pamjet e djeshme, ku patronazhistët e kreut të ‘5D’ dhe paramilitarët e Rilindjes, drejtorët e bashkisë Tiranë, policët bashkiakë e punonjësit e UKT, rrethuan godinën e SPAK për 15 orë, nuk kanë nevojë për koment!
Përveçse shenjë barbarie e njerëzve që kanë të gjitha pushtetet dhe shkallmojnë mendsh kur një fragment i pushtetit gjyqësor merr urdhër nga ligji, dhe jo nga shefi i tyre, rrethimi i djeshëm tregon më së miri se kush është fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe se çfarë mendon ai për drejtësinë e pavarur dhe njerëzit që nuk i ka në dorë, për të cilët deri dje mburrej dhe thonte se kjo është drejtësia që duam.
Partia Demokratike e sheh me shqetësim përshkallëzimin e djeshëm fizik dhe verbal të dhunës kundër prokurorit Ols Dado dhe kolegëve të tij, të cilëve i’u rrezikua dhe jeta në momentet kur dolën nga ambientet e SPAK.
Përpjekja për t’i indimiduar ata fizikisht dhe verbalisht në vendin e punës dhe në krye të detyrës, është e papranueshme, anti-europiane dhe anti-demokratike.
Ne dënojmë me forcë tërheqjen e policisë së shtetit para turmës së pushtetit, duke e lënë perimetrin e sigurisë të institucionit të drejtësisë në dorën e patronazhistëve dhe killerave online dhe offline të kreut të 5D Veliaj dhe narko kryeministrit Rama.
Prania e djeshme paramilitare e mercenarëve të Veliajt, frymëzuar edhe nga gjuha e mbushur me urrejtje e kërcënime e Edi Ramës, nuk ishte provë force dhe intimidimi vetëm ndaj prokurorit Dado, që doli mbi barrikadën e frikës, por edhe mbi gjyqtaren e Apelit Ilirjana Olldashi.
Burimet tona informale na vënë në dijeni se ndaj gjyqtares Olldashi kanë filluar mesazhet, si joshëse ashtu edhe kërcënuese, për të favorizuar Erion Veliajn dhe grupin e tij kriminal dhe për të anashkaluar ligjin, siç është bërë shumë herë për megaaferat e këtij të fundit, përfshi Inceneratorin fantazmë të Tiranës dhe aferën kriminale 5D.
Partia Demokratike u bën thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndershëm që të rezistojnë dhe të japin kontributin e tyre në vendosjen e një drejtësie që nuk sheh majtas apo djathtas, por vetëm zemrën dhe thelbin e ligjit.
Ky ka qenë parimi ynë konstant, dhe mbi këtë parim ne jemi të gatshëm të ndërtojmë një marrëdhënie të re dhe afatgjatë me drejtësinë. Pa i ndërhyrë në punët e saj, por pa e lejuar të bëhet palë me pushtetin, qoftë edhe me pushtetin tonë nesër.
Në fund dy fjalë për Ervin Enver Hoxhën, që nuk i kanë mbetur as dy gisht fytyrë dhe as dy pare mend. Sot ai deklaroi se nuk e dislokoi policinë, dhe as konfiguroi një perimetër sigurie rreth SPAK-ut, sepse sipas tij ai nuk kishte njoftim.
A duhet vallë njoftim për një ngjarje që zgjat 15 orë dhe është live në gjysmën e mediave të vendit?! A duhet njoftim për një ngjarje që është paralajmëruar në media e portale të vendit që 24 orë më parë?!
Nuk është njoftimi që e ka penguar, por urdhri që ka marrë, dhe synimi i tij si ministër i narkoshtetit për t’u bërë pjesë e intimidimit dhe krijimit të klimës së pasigurisë për trupën e drejtësisë, që po u këput edhe petalin e parafundit të trëndafilit socialist.