Ilir Alimehmeti: Erion Veliaj të shkarkohet, Tirana të shkojë në zgjedhje, Rama uzurpon Bashkinë e Tiranës

Këtë të mërkurë, kryetari i Këshilltarëve Bashkiakë të PD në Bashkinë e Tiranës, ka dhënë një deklaratë ku shprehet se, Erion Veliaj duhet të shkarkohet

Deklarata:

Dje të gjithë ne pamë ‘mbrojtjen’ e ish-Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, nga ana e Kryeministrit, Edi Rama, dhe se si kjo ‘mbrojtje’ në fakt kishte qëllimin e kapjes së pushtetit vendor nga vetë Kryeministri.

Haptas ai deklaroi se do të jetë ‘Kryetari në distancë i Bashkisë Tiranë’ në kundërshtim të plotë të Kushtetutës dhe të çdo ligji në fuqi në Shqipëri apo në Perëndim.

Ai emëroi edhe Kryetaren e Deleguar të Bashkisë Tiranë, sërish në kundërshtim të plotë të Kushtetutës dhe të çdo ligji në fuqi.

Shumë qartë është e përcaktuar se pushteti qendror dhe pushteti vendor janë të pavarur nga njëri-tjetri dhe përcaktimi i drejtuesve të tyre vjen vetëm përmes votës dhe organeve përfaqësuese të zgjedhur përmes saj.

Shumë qartë, ligji 139/2015, neni 7 citon se: ‘Organi përfaqësues i Bashkisë është Këshilli Bashkiak.’

Shumë qartë, neni 54 i të njëjtit ligj citon se: ‘Këshilli Bashkiak mbron dhe garanton interesin publik.’

Kjo do të thotë, shumë qartë, se detyra në këtë rast i takon Kryetares së Këshillit Bashkiak, znj. Romina Kuko, e cila hesht, si edhe 60 anëtarëve të tjerë të Këshillit Bashkiak të zgjedhur përmes votës.

Me këtë sjellje Edi Rama, nuk është sjellë si Kryeministër, madje as si Kryetar i një Partie, por si Kryetar i një Partie-Shtet, siç ka bërë prej kohesh nën ndikimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të dy Sorosëve.

Pse e ka këtë sjellje antikushtetuese Kryeministri?

Sepse është i qartë që zhvatja e Tiranës dhe e qytetarëve të saj nuk është kryer vetëm nga ish-Kryetari i Bashkisë, Veliaj, në mënyrë të izoluar, por me bekimin, mbështetjen dhe interesin e përbashkët të tij.

Sepse ai është i qartë se burgosja e numrit 2 de facto të Partisë Socialiste, Veliaj, është goditje e fortë për këtë parti dhe vetë Kryetarin e saj.

Sepse ai është i qartë që duhet të zbusë ‘kryengritjen’ brenda kampit të tij socialist pas lëshimit të numrit 2 te radhës, siç beri me numrin 2 të qeverisë, Ahmetaj.

Sepse ai është i qartë që situata politike brenda kampit socialist po i rrëshket nga kontrolli, tre muaj përpara zgjedhjeve parlamentare.

Këto veprime janë vetëm në interes të vetë Kryeministrit dhe të askujt tjetër.

Ne kërkojmë të përdoret i njëjti standard që është përdorur në rastin e Elvis Roshi në Kavajë, Shukri Xhelili në Dibër, Safet Gjici në Kukës, Jorgo Goro në Himarë, etj. Për shkelje në magnitudë shumë më të ulët se Veliaj, këta ish-kryetarë bashkish janë shkarkuar ose u është kërkuar dorëheqja, për t’ju hapur rrugë zgjedhjeve vendore, siç përcaktohet me ligj.

Pra, kërkojmë, konform Kushtetutës dhe ligjit, shkarkimin e ish-Kryetarit të Bashkisë Tiranë, dhe zgjidhjen e problemit të krijuar nga dyshja Rama-Veliaj përmes votës së lirë të qytetarëve të vjedhur të Tiranës.
Tirana ka nevojë për zgjidhje të fortë, të qëndrueshme dhe Ndryshim. Këtë zgjidhje nuk e ofron Rilindja që solli vdekjen klinike të saj. Tirana duhet të merret nga hajdutët dhe të kthehet te qytetarët!


Shtuar 12.02.2025 11:54