Nuk ka dyshim njeri për klasin e Ernest Muçit, pasi mund të ketë dritë-hijet e tij në elitën e futbollit turk, por shpesh është kënaqësi të shohësh lojën e yllin të kombëtares shqiptare.
Trajneri Ole Gunar Solskjer, zgjodhi ta kishte titullar 23-vjeçarin në ndeshjen e Kupës së Turqisë ndaj Kirklarelisporit, dhe besimi iu shpërblye.
Ishte pikërisht Muçi që zhbllokoi shifrat në minutën e 62-të, dhe merita ishte thuajse tërësisht personale.
Futbollisti kuqezi, ishte në fushë për 73 minuta, dhe me talentin e tij bëri tifozët për vete.
Pasi e vërshëllyen, ata thirrën në kor emrin e tij pasi realizoi. SHIKO GOLIN
Ai ka një gol në dy ndeshje të Kupës, saktësisht në 146 minuta, sepse është kurioz fakti që lojtari ynë ka luajtur nga 73 minuta në çdo sfidë.
Në 9 ndeshje si titullar në Superligë, Muçi ka 4 rrjeta dhe një asist, që do të thotë një kontribut goli në çdo dy duele.
Disa herë kjo është theksuar nga mediat apo tifozët në rrjetet sociale ne Turqi, duke kërkuar vazhdimisht që futbollisti ofensiv të aktivizohet më shumë.
Po ashtu, shpesh ai ka luajtur në krah, ndërsa pozicioni i tij më i mirë është në qendër, pas sulmuesve.
Për Beshiktashin shkëlqeu edhe Milot Rashica, pasi talenti i Kosovës zëvendësoi pikërisht Muçin.
Ai shërbeu asistin për Zhoao Marion në minutën e 79-të, pra vetëm gjashtë minuta pasi hyri në fushë. SHIKONI GOLIN E ASISTUAR NGA RASHICA.