Lady Gaga dhe Bruno Mars fituan çmimin Grammy për dyshen më të mirë pop me vokal për këngën “Die With A Smile”. Pas këtij suksesi, Gaga ndau një mesazh mirënjohjeje për fansat dhe shprehu se kjo ceremoni Grammy ka një rëndësi të veçantë për të.
Në postimin e saj në Instagram, Lady Gaga theksoi: “Ndërsa shkruaj këngë, gjithçka që dua të bëj është të tregoj histori përmes këngëve të mia që prekin zemrat e njerëzve. Të prezantosh një këngë me Brunon për një dashuri të veçantë është me të vërtetë një pjesë e shpirtit tim. Dashuria është ajo që ne të gjithë kemi nevojë tani. Faleminderit.”
Ajo publikoi një foto duke pozuar me çmimin, duke shprehur një emocion të madh për këtë moment të rëndësishëm në karrierën e saj.
Gaga dhe Mars e pranuan çmimin së bashku dhe mbajtën një fjalim emocionues gjatë ceremonisë. Bruno Mars e falënderoi Gagan dhe theksoi nderin që ka të punojë me një artist kaq të madh, ndërsa Gaga i shprehu mirënjohje të veçantë për të fejuarin e saj, Michael Polansky, për mbështetjen e tij.
Kjo është një tjetër arritje e madhe për Lady Gagan, e cila vazhdon të jetë një figurë influente dhe e dashur në industrinë e muzikës globale.