Autoritetet greke kanë këshilluar njerëzit në ishullin Santorini në detin Egje që të mbyllin shkollat të hënën, të shmangin dy porte të vogla dhe të përmbahen nga grumbullimi në hapësirat e brendshme, pas rritjes së aktivitetit sizmik në zonë gjatë ditëve të fundit.
Një seri lëkundjesh deri në magnitudë 4.3 u regjistruan të premten dhe të shtunën në zonën midis ishullit vullkanik të Santorinit dhe Amorgos, sipas ministrisë së Mbrojtjes civile në një deklaratë të shtunën pasdite, raporton Reuters.
Ministria ka thënë se aktiviteti nuk ishte i lidhur me aktivitetin vullkanik dhe po tërhiqej, por ekspertët kanë propozuar masa paraprake, duke përfshirë mbylljen e shkollave më 3 shkurt. Ata gjithashtu u kërkuan njerëzve që të mos hynin ose të qëndronin në portin e vogël të Ammoudi dhe portin e Fira, që shërben kryesisht për anijet turistike.
Tërmete me magnitudë 2.8 dhe 4.5 ballë goditën zonën të dielën në mëngjes, sipas institutit gjeodinamik të Athinës, pa shkaktuar dëme. Greqia shpesh tronditet nga tërmetet.
Santorini është një nga destinacionet kryesore turistike të Greqisë. Një nga shpërthimet më të mëdha në histori, rreth vitit 1600 para Krishtit, formoi ishullin në formën e tij aktuale. Shpërthimi i fundit në zonë ka ndodhur në vitin 1950.