Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi priti sot në një takim në KQZ përfaqësues të UN Women për të diskutuar rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë.
Përfaqësuesi i UN Women Albania, Michele Ribotta, paraqiti rekomandime për fuqizimin e grave, duke theksuar nevojën për mundësi të barabarta dhe mbështetje për gratë që duan të futen në politikë.
Një nga iniciativat kryesore që u diskutua është krijimi i spoteve dhe materialeve informative dhe organizimi i trajnimeve specifike për gratë që planifikojnë të kandidojnë në zgjedhjet e 2025.
Këto trajnime do të ofrojnë udhëzime praktike për plotësimin e dokumentacionit, organizimin e fushatave zgjedhore dhe përballjen e sfidave si gjuha e urrejtjes dhe intimidimi, veçanërisht në rrjetet sociale.
Celibashi vlerësoi bashkëpunimin me UN Women dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të nismave të përbashkëta për të siguruar pjesëmarrje të barabartë të grave në politikë.