Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë), ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre ose funksioni publik”, ndaj 3 punonjësve të policisë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
N/Komisar I. T., me detyrë Specialist Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë;
Inspektor K. L., me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë;
Inspektor F. I., me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë
Vendimi i gjykatës, erdhi mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Korçë, pas dyshimeve të arsyeshme se këta punonjës policie, edhe pse kanë konstatuar më datë 28.12.2024 shtetasit E.P. dhe L.E. duke kryer peshkim të ndaluar në liqenin e Ohrit, me veprime dhe mosveprime, kanë favorizuar aktivitetin e kundraligjshëm të këtyre shtetasve, me dyshime përfitimi.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit, apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected]. Për ankesa me Whatsapp 0694151511