Bujar Leskaj nga Athina: Do t’i japim zgjidhje njohjes së pensioneve në Greqi

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj i shoqëruar edhe nga sekretari për çështjet vendore në PD, Ylli Asllani, drejtuesit e degëve të PD-së në Vlorë dhe Sarandë, kanë zhvilluar një takim me shqiptarët në Athinë.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Leskaj u shpreh se, Partia Demokratike zotohet që të mbështesë qytetarët dhe jo oligarkët.

Gjithashtu, Leskaj u shpreh se gjatë qeverisjes së PD-së, do t`i jepet zgjidhje përfundimtare njohjes se pensioneve në Greqi.

‘Ne nuk do të vijmë në pushtet nga keqqeverisja e tij. Ne kërkojmë të vijmë nga programi, nga fati i madh që pas 12 vitesh qeverisje që ka pasur një zhvendosje politike ndaj qytetarit, ne do ta kthejmë tërësisht fokusin tonë tek qytetari.

Nuk do të jetë një politikë zhvillimore e qeverisë e projektuar vetëm për oligarkët, apo për njerëzit e lidhur me qeveritarët, por do të jetë një politikë e orientuar drejt biznesit të vogël, biznesit të mesëm dhe biznesit të madh të ndershëm e asaj pjese solide të diasporës që mund të vijë dhe përmes lehtësirave të ndryshme fiskale që do jenë të shumta, të investojnë në Shqipëri.

Unë dua të theksoj se, zotimin e parë do ti japim zgjidhje përfundimtare njohjes së pensioneve në Greqi. Ju keni punuar, keni kontribuar për një kohë të madhe në shtetin grek dhe keni paguar sigurime shoqërore.

Si ata që kanë paguar 15 vite dhe më shumë dhe ata më pak se kaq, marrëveshja ka ecur këto vite, se ka filluar që në qeverisjen e Partisë Demokratike, por gjithmonë ka pasuir pengesa, bllokime dhe bllokimet e fundit kanë qenë sajesa të qeverisë tonë.

Zotimi i dytë që kemi ne, se duke vënë në qendër qytetari, duke vënë në qendër biznesin e vogël ne do të krijojmë ato mundësi që të gjithë, secili prej jush që do të investojë, do të kthehet në një mënyrë apo një tjetër në Shqipëri, që të investojë kapitalet e veta, të zhvillojë pronat do të ketë një avokaturë të mirë tek zyrtarët e shtetit.

Që nga ne deputetët do të jemi shërbestarë të qytetarëve dhe në veçanti tuajin.

Në dekalogun moral të Mit’hat Frashërit, në vitet 1930 thoshte që; në jetë kije për nder dhe lavdi që të jesh shërbestar i njerëzve. Dhe ne kështu do të punojmë.

Në qarkun tonë janë problem pronat në Himarë dhe bregdet dhe po të shikosh operacionet mafioze që kryhen të drejtpërdrejta dhe të tërthorta është kanalizuar në atë që njeriu i ndershëm, njeriu i zoti, pronari i vjetër, himarjoti trim, kurajoz dhe me karakter, nuk e merr dot pronën e tij. Dhe pronën ose e marrin oligarkët e Ramës ose tani ka dalë një formulë më e kamufluar, me sekserë’, tha në fjalën e tij, deputeti i PD-së, Bujar Leskaj.


Shtuar 26.01.2025 13:56