Është ndaluar nga policia Ariel Rraja, nipi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja dhe djali i Flamur Rrajës.
Ai ka qenë i shpallur në kërkim për një sherr në zonën e Krujës.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në tetor të vitit 2024, ku babë e bir Flamur dhe Ariel Rraja, dyshohet se kanë dhunuar në banesën e tij shtetasin Kujtim Caca dhe familjarët e tij, ndërsa mësohet se dhuna ndaj familjes Caca ka ndodhur për shkak të një prone.
Pas dhunës, në kërkim ishin shpallur Flamur Rraja dhe i biri, Arjel Rraja. Ky i fundit, ka qenë më parë i ndaluar për shitje të lëndëve narkotike, kokainë.
Flamur Rraja, ishte një prej dhunueve të vëllezërve Bilbil dhe Jashar Maja. Flamur Rraja, u filmua në video teksa mbante në dorë një armë zjarri pistoletë.
Dhuna barbare ndaj vëllezërve Maja solli reagime të forta, ndërsa pas saj Rrahman Rraja dorëzoi mandatin e deputetit.
Ngjarja ndodhi më 6 korrik 2023, ku opinioni publik u trondit, nga pamjet, ku fisi Rraja shfaqi një dhunë brutale ndaj banorëve të Borizanës, të cilët denoncuan në Policinë e Fushë Krujës, si dhe protestuan në rrugë se aktiviteti i një guroreje në pronësi të Përparim Rrajës, kushëririt të deputetit socialist të dorëhequr pas ngjarjes, Rrahman Rraja, po u shkatërronte shtëpitë.
Kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, u goditën dhe u kërcënuan me armë nga anëtarë të fisit Rraja, mes tyre djali i ish-deputetit Rexhep Rraja, vëllezërit Flamur dhe Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta. Kjo ngjarje çoi në tërheqjen e Rrahman Rrajës nga politika.