Aktori i humorit, Julian Deda ka reaguar pas shkarkimit të Altin Bashës nga posti i drejtorit në Teatrin Kombëtar.
Përmes një video të postuar në rrjetet sociale, aktori shkruan se pas shkarkimit, ndaj Bashës duhet të nisin menjëherë hetimet dhe të dënohet për vjedhjet që ka kryer.
Sipas Julit, arsyeja që shumë aktorë janë larguar nga “Portokalli” ka qenë vetë Altin Basha dhe se aprovimi i shembjes së teatrit nga ky i fundit erdhi pasi iu premtua posti i drejtorit në Teatrin Kombëtar.
“Vjen një ditë dhe të kthehet mbrapsht çdo gjë që ti ke pretenduar të bësh dhe çdo gjë që ti ke bërë në kurriz të tjerëve”, shkruan Deda.
“Vjen një ditë dhe të kthehet mbrapsht çdo gjë që ti ke pretenduar të bësh dhe çdo gjë që ti ke bërë në kurriz të tjerëve. Nga viti 2008 e mbrapa, dikush për arsye të tij, shumica e aktorëve kanë ikur nga Portokallia sepse nuk janë marrë vesh me zotërinë. Dhe ja ku jemi sot pasi dikush e bleu dhe i premtoi diçka këtij zotërisë këtu, doli pro shembjes së teatrit. Më vonë, ne morëm pse ky doli pro shembjes së teatrit. Sepse ai u bë drejtor i Teatrit Kombëtar.
Dhe atje vazhdoi me abuzimet, siç ka abuzuar dhe në TVSH, por ato do dalin më vonë, me njëfarë shfaqje Fustanella. Ka abuzuar me fondet e teatrit. Pra me pak fjalë një hajdutëri e madhe e cila sot konkretizohet me shkarkimin e tij dhe bashkë me të dhe bashkëshortja e tij. Unë shpresoj që drejtësia mos ta leje me kaq. Për sa kohë është shkarkuar për abuzim me fonde, do të thotë që kemi të bëjmë me vjedhje. Dikush ta hetojë dhe ta çojë punën deri në fund”, thotë ai ndër të tjera.
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha u shkarkua nga detyra ditën e sotme me një vendim të Këshillit të Ministrave.
Shkarkimi nga detyra i Bashës erdhi pasi një investigimit të emisionit ‘Piranja’, ku zbuluan skandalin e abuzimit me fondet e Teatrit Kombëtar.
Altin Basha u emërua në krye të Teatrit Kombëtar në dhjetor të 2022 ku zëvendësoi Hervin Çulin.
Ndërkohë më herët ai ka qenë administrator i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, e ndërsa karriera e tij lidhet ngushtë si regjisor prej 17 vitesh në spektaklin e humorit “Portokalli”.