Ilir Meta mbërrin në SPAK, çfarë pritet të kërkojë avokati i presidentit të PL

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka mbërritur në ambientet e SPAK, ku do të merret në pyetje nga prokurorët e posaçëm.

Kjo është hera e parë që Meta do të merret në pyetje si person nën hetim. I pranishëm në gjatë marrjes në pyetje do të jetë edhe avokati i zotit Meta, Genc Gjokutaj, i cili pritet të kërkojë provat e faktet e deri tanishme e të njihet me aktet.

Në ngarkim të Metës është dosja e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni, për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.
Akuza të ngjashme ka edhe deputetja Monika Kryemadhi, njëherazi ish-bashkëshorte e Ilir Metës.

Ndaj Kryemadhit, GJKKO ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje. Ndërsa Meta ndodhet i arrestuar që prej mesditës së 21 tetorit 2024.


Shtuar 7.01.2025 11:24