Ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, i shpallur në kërkim që prej 23 dhjetorit pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë për pezullimin e dënimit.
Frrokaj, kërkon që zbatimi i vendimit për rikthimin në burg, të shtyhet deri në shqyrtimin e rekursit nga Gjykata e Lartë.
Frrokaj është dënuar me 2.8 vite burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas një vendimi të dyfishuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Më parë, Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar ish-kryebashkiakun me 1.4 vite burg. Sipas akuzës, gjatë kohës kur shërbente si kryetar i Komunës Shënkoll, ai së bashku me ish-zyrtarë të tjerë favorizuan regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona.
Frrokaj gjithashtu, është dënuar më parë nga Gjykata e Shkodrës me 2 vite burg për një çështje të ngjashme që lidhej me tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Megjithatë, ai u lirua nga qelia falë përfitimit nga amnistia penale.
Pas marrjes së urdhrit të ekzekutimit nga Gjykata e Apelit, Policia ka kryer disa kontrolle në banesën e Frrokajt, por ai nuk është gjetur. Ish-zyrtari i lartë tashmë konsiderohet në kërkim.