Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk sheh mundësi për koalicione pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke vlerësuar se partitë opozitare nuk kanë kaluar në proces reformimi.
Kurti, i cili drejton Lëvizjen Vetëvendosje, shpreh besimin se partia e tij do të arrijë rezultate më të mira se ato të vitit 2021 dhe synon të marrë gjysmë milioni vota në zgjedhjet e ardhshme.
Ai theksoi se koalicionet parazgjedhore me partinë Guxo dhe Alternativa janë rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm gjatë katër viteve të qeverisjes së përbashkët. Në lidhje me partitë tradicionale si PDK, LDK dhe AAK, Kurti tha se ato nuk kanë treguar shenja të reformimit dhe se sulmet ndaj Vetëvendosjes dhe qeverisë së tij gjatë muajve të fundit kanë thelluar mosbesimin.
Lidhur me qeverisjen e tij, Kurti u shpreh krenar që qeveria aktuale është e para që e çon mandatin deri në fund në historinë e Kosovës së pavarur, duke siguruar stabilitet institucional. Ai tha se një mandat i plotë është i domosdoshëm për realizimin e zotimeve të qeverisë dhe për zhvillimin e vendit.
Për mandatin e ardhshëm, Kurti përmendi disa projekte kyçe që do të mbeten prioritet: krijimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore, themelimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe zbatimin e Vetingut për gjyqësorin. Ligji për Fondin Sovran, një shtyllë e rëndësishme për reformat ekonomike, është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga opozita, e cila ka ngadalësuar procesin e zbatimit. Kurti kritikoi vonesat e Gjykatës Kushtetuese në trajtimin e kësaj çështjeje dhe shprehu shpresën për një trajtim më të shpejtë në të ardhmen.
Ndërkohë, ai theksoi se Byroja për Konfiskimin e Pasurisë është jetike për luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e sundimit të ligjit. Ligji për këtë organ u rrëzua një herë në Gjykatën Kushtetuese, por u rikthye dhe miratua në Kuvend, dhe aktualisht është sërish në shqyrtim nga Gjykata.
Kurti nënvizoi se prioritetet e tij janë zhvillimi ekonomik dhe forcimi i drejtësisë, duke garantuar që qeveria e tij do të përqendrohet në projekte që sjellin përfitime të prekshme për qytetarët.