Të ftuar në episodin e fundit të podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama ishin Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, fituesit e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizion Shqiptar.
“Zjerm” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2025, që do të mbahet në 13-17 maj 2025 në Bazel të Zvicrës.
Vokalistët e grupit “Shkodra Elektronike” kanë rrëfyer emocionet e pjesëmarrjes në eventin të madh muzikor, si dhe fillesat e grupit që rrëmbeu çmimin e parë.
Ndërkohë kryeministri Rama, që në nisje të podcast-it ka rrëfyer se nuk e ka ndjekur festivalin, një “traditë” që prej tij vijon prej vitesh.
Ai nuk ka renditur arsyet pas një vendimi të tillë, por me sa duket ka rezerva për eventin.
“Ende nuk e kam dëgjuar plotësisht këngën dhe prej shumë e shumë kohësh nuk e kam ndjekur Festivalin. Mos më pyesni pse, qysh, tek sepse është ndoshta bisedë e gjatë. E di që nuk kam dhe nuk pretendoj të kem të drejtë, por ja kështu është nuk e kam ndjekur. Për hir të vërtetës kur nuk e ndoqa edhe këtë herë, nuk besoj se kam për ta ndjekur ndonjëherë.
Por kurrë mos thuaj kurrë, por nuk jemi këtu për mua dhe nuk ka pikë rëndësie se çfarë mendoj unë, apo çfarë them unë për Festivalin, rëndësi ka ccfarë thoni ju për jetën dhe krijimitarinë tuaj, sepse ju jeni fituesit.
Përpara ka pasur raste kur fituesi apo fituesja kanë qenë kontroversë, ose kanë krijuar kundërshti në mjedisin publik, por këtë herë ka një konsenus që fituesit janë fituesit”, tha ai, ndërsa edhe grupi ka pranuar që as ata nuk e ndiqnin festivalin.