Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, njëkohësisht drejtues politik i Partisë Socialiste për Diasporën ka publikuar sot një video në Facebook nga fshati Buzëmadh i Kukësit, ku u ka bërë një ftesë shqiptarëve të Diasporës që të investojnë në Paketën e Maleve, si një mundësi për të rigjallëruar tokat e të parëve, për të ndërtuar bujtina e agroturizëm dhe për të sjellë krenari e zhvillim në vendin tonë.
“Lehtësi në proceset e legalizimit dhe certifikimit të pronave të trashëguara nga prindërit dhe gjyshërit tuaj. Ftesa jonë për të gjithë bashkatdhetarët, sëbashku ta bëjmë Shqipërinë model suksesi edhe në turizmin malor”, ishte apeli i Ballës.
Kryeministri Rama, është shprehur më herët në takimet me qytetarët në veri të vendit, se “Paketa e Maleve, do t’i hapë rrugë të gjithë atyre që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë dhe që kanë punuar pa pushim dhe që kanë kursyer e kursejnë që kursimet e tyre t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë, pa pasur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave dhe pa pasur as nevojë të kalojnë në të gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve që janë të shpërndarë lart e poshtë, me një mbështetje të fuqishme, qoftë në aspektin e dhënies së lejeve për të rihapur shtëpitë e të parëve për të ndërtuar agroturizma, për të fituar shumë më tepër se ç’fitojnë nga puna e lodhshme në shërbim të të tjerëve atje ku janë”.