FOTOT/ Veliaj në SPAK, qytetarët protestojnë para Prokurorisë së Posaçme: Hajdut, po të zënë hakat e …

Mëngjesin e sotëm, kryebashkiku i Tiranës Erion Veliaj, është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Mësohet se disa qytetarë, kanë protestuar me pankarta në duar para SPAK.

Ata kanë kërkuar dënimin e Veliajt, të cilin e cilësojnë hajdut dhe mashtrues.

“Mastrues 99-sh, hajdut, po të zënë hakat e Kombinatit”, shkruhej në një nga pankartat e protestuesve.

 

Mësohet se Veliaj do të japë deklarime, në lidhje me hetimin e regjistuar nga SPAK për veprën penale të

“korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

Hetimet po ndiqen nga prokurori Ols Dado. Referuar raportimeve mediatike, SPAK ka indicie se Erion Veliaj dhe të afërmit e tij janë implikuar në skemat e përfitimit të parave në rrjetin e kompanive që ka në pronësi biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule.

Gjithashtu, ndaj këtij të fundit ka dhe një hetim nga Prokuroria e Tiranës, ku akuzohet se ka ngritur një skemë të pastrimit të parave, ku është pjesë bashkëshortja e tij bashkë me Kristian Boçin dhe Vladimir Avramin.

Prokuroria u bllokoi rreth 50 milion euro pasuri që ishte investuar kryesisht në ndërtim, pasi paratë kishin origjinë të dyshimtë. Por sekuestro u hoq disa ditë më vonë kur prokurorja e Apelit, Arta Marku u riktheu pronat të akuzuarve.

Mëngjesin e 6 Dhjetorit, agjentët e BKH-së me urdhër të SPAk ushtruan kontrolle në 6 individë, mes të cilëve dhe Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj, bashkëshortja dhe vëllai i kryebashkiakut të Tiranës.

Kontrollet u ushtruar në zyrat e galerisë “Harabel”, fondacion i themeluar në vitin 2018 nga artisti Driant Zeneli dhe “promotorja kulturore” Ajola Xoxa.

Gjithashtu, kontrolle u ushtruan edhe në shtëpinë e prindërve të Xoxës, fakt ky i pranuar edhe nga Erion Veliaj në një reagim publik mbi hetimet.

Veç kontrolleve, SPAK urdhëroi dhe sekuestrimin e telefonit të Ajola Xoxës dhe Arbër Veliajt.

Ditën e djeshme, Gjykata e Posaçme e Apelit, rrëzoi ankimin e bërë nga Ajola Xoxa dhe Arbër Veliaj, të cilët kundërshtonin veprimet e SPAK dhe GJKKO, në lidhje me kontrollin e ushtruar mëngjesin e 6 Dhjetorit

Pak ditë më parë, GJKKO refuzoi dhe kërkesën e tyre për t’ju kthyer sendet e sekuestruara nga SPAK gjatë kontrollit personal dhe disa ambienteve në pronësi të tyre.

 


Shtuar 26.12.2024 11:14