Kryeministri Edi Rama, ndodhet sot në Himarë, ku është duke shpërndarë titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara në zonat Kadastrale me probleme kronike, duke përmbyllur kështu zotimin për këto objekte.
I pranishëm në shpërndarjen e titujve të pronësisë, është dhe Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se qeveria shumë shpejt do të ndërmarre projekteve të reja në Himarë, për të rritur cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone.
“Po diskutojmë për një projekt të madh për një parkim të madh nëntokësor tek fusha e sportit, ku do mund të akomodohen shumë mjete”, tha Rama, i cili paralajmëroi dhe ndërhyrje në qendër të Himarës.
Më herët, gjatë një interviste për mediat greke, Kryeministri Rama nënvizoi se; “në fakt me kryebashkiakun e ri të Himarës po bëjmë shumë punë të mira dhe brenda pak javësh do të përfundojmë regjistrimin e të gjitha shtëpive në të gjithë bashkinë”.