Ilir Proda porosi shefave të Komisariateve: Angazhim maksimal për parandalimin e krimeve

Gjatë takimit me shefat e rinj të komisariateve të policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, kërkoi angazhim maksimal në krye të strukturave për ndjekjen në dinamikë të shqetësimeve dhe problematikave të qytetarëve, për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të tyre.

Gjithashtu, ai përdori angazhim maksimal për parandalimin dhe goditjen e krimit të rrugës që ndikon drejtpërdrejt tek qytetarët, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura dhe shpërndarjen e tyre, të lojërave të fatit, krimeve mjedisore, për sigurinë në shkolla, sigurinë rrugore, për rritjen e performancës së punonjësve të policisë dhe për etikën e komunikimit me qytetarët është shumë thelbësor.

“Jam i bindur se secili prej jush do të jetë në lartësinë e detyrës që mban”, shtoi Proda.

Ndërsa vlerësoi procesin e përzgjedhjes së shefave të komisariateve dhe i uroi ata për detyrën, të cilën e cilësoi jo si privilegj, por si obligim dhe përgjegjësi për secilin prej tyre, Proda iu përcolli shefave të komisariateve një sërë detyrash dhe porosish për të përmirësuar më tej imazhin e Policisë, për të rritur parametrat e sigurisë dhe për të arritur rezultate më të larta në luftën kundër krimit.

Drejtori i Përgjithshëm, theksoi se jemi përpara një procesi zgjedhor dhe se tashmë Policia e Shtetit ka vendosur standarde të certifikuara nga ndërkombëtarët për një qëndrim korrekt.

Ai iu kërkoi shefave të komisariateve dhe vartësve të tyre të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin, duke theksuar: “Ne jemi punonjës policie dhe kemi një mision – zbatimin e ligjit”.


Shtuar 21.12.2024 15:26